
Pano Soko, i cili kandidoi në zgjedhjet e 11 majit me Nismën "Shqipëria Bëhet", ka reaguar pas përplasjes publike mes Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit, dy figura të njohura të Nismës Thurrje.
Soko e cilëson këtë situatë si të turpshme dhe alarmon për pasojat që mund të ketë mosrespektimi i premtimeve të dhëna për listat e hapura, duke thënë se një veprim i tillë cënon besimin e qytetarëve.
Ai u bën thirrje të gjithë atyre individëve që janë futur në listë në mënyrë formale, por jo reale, që të mbajnë fjalën dhe të japin dorëheqjen, në mënyrë që të funksionojë siç duhet mekanizmi i listës së hapur – një nga premtimet kryesore të kësaj lëvizjeje para votuesve.
“Çështja është akoma duke u zhvilluar. Kjo që ndodhi ishte një turp në dy plane: E para ishte e gjithë mospërmbushja e angazhimit tonë që morëm përpara njerëzve që na votuan, që ne do shkonim me lista të hapura duke garantuar një mekanizëm për të cilin ne dolëm garant përpara njerëzve.
I bëj thirrje të gjithë individëve të cilët në mënyrë fiktive, janë paraqitur në listë të mbyllur që ti përmbahen angazhimit të tyre për të dhënë dorëheqjen dhe për të çliruar mekanizmin e listës së hapur.
Koalicioni jonë i ka marrë votat për të çuar në Parlament ata që morën më shumë vota, jo ca njerëz fiktivë që nuk ishin për vota.
E dyta ka të bëjë me tensionet e komunikimit që kanë ekzistuar mes nesh, dhuna është e pafalshme. Komunikimi publik për gjëra që duhen zgjidhur me njëri-tjetrin, është gabim që shpesh herë rezulton fatal, sepse kur gjërat bëhen publike, “urat digjen”, prandaj gjërat mbahen në privatësi për të ruajtur urat.
Të gjitha palët e përfshira të ndërmarrin anagzhimin e tyre për të përmbushur detyrimin që kanë ndaj votuesit dhe për të çaktivizuar listën e mbyllur. E kemi të detyrueshme t’u dalim garant njerëzve, dhe është e turpshme nëse nuk e bëjmë”, deklaroi Soko.
Pano Soko thekson se janë të dënuar të gjejnë një zgjidhje pasi së pari duhet bërë për hir të qytetarëve që i votuan.
“Nëse ne nisim rrugëtimin tonë politik me një humbje angazhimi të tillë, atëherë besimi i njerëzve nuk është një gjë që fitohet shpesh herë. Personalisht jam ndjerë shumë në siklet, në detyrim ndaj atyre njerëzve që na kanë votuar. Nuk i shof dot në sy.
Besoj se ne do gjejmë forcën për të dalë mbi veten për hir të atyre njerëzve që na kanë besuar. Jemi të dënuar të gjejmë një zgjidhje”, tha Pano Soko.







