Trupat ruse njoftohet se kanë sulmuar depozita armësh perëndimore gjatë një sulmi me armë të precizionit të lartë kundër disa objektivave në Ukrainë. Sulmet ruse mësohet se kanë patur shënjestër impiante energjetike të Ukrainës që punojnë për ndërmarrjet e kompleksit ushtarak-industrial dhe arsenalet perëndimore të magazinimit të armëve, të cilat u dëmtuan.
Ministria ruse e Mbrojtjes, duke dhënë detaje mbi sulmin, nënvizoi se "objektivi i sulmit është arritur" dhe se ai është një përgjigje ndaj përpjekjeve të regjimit ukrainas për të dëmtuar objektet ruse të energjisë dhe transportit.

Ndërkohë, pas dritës jeshile të Shteteve të Bashkuara, edhe Gjermania ka autorizuar autoritetet ukrainase që të mbrohen nga sulmet ruse “me armët e dorëzuara”. Të njëjtat deklarata ishin bërë më herët dhe nga qeveritë daneze, polake e finlandeze.

“Do të ketë pasoja serioze”, paralajmëroi këto vende presidenti rus Putin.
Ndërsa ministri i jashtëm italian Tajani tha këtë të shtunë se “zgjedhjet e deklaratat e Scholz mbi përdorimin e armëve gjermane në territorin rus, nuk janë tonat”.

Tajani ka paralajmëruar se rreziqet e një Lufte të Tretë Botërore rritet nëqoftëse nuk bëhet kujdes. Mjafton një gabim i vogël dhe pasojat janë tragjike. “Ne duhet të mbrojmë Ukrainën, por edhe paqen”, raportojnë mediat ndërkombëtare të këtë deklaruar kryediplomati italian Tajani.







