Donald Trump kërcënoi të ndalonte furnizimin me armë për Ukrainën në mënyrë që të ushtronte presion mbi aleatët evropianë që të bashkoheshin me një “koalicion të të vullnetshëm” për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, sipas njerëzve të informuar mbi diskutimet, shkruan Financial Times.
Ngushtica është mbyllur në fakt nga Irani pasi SHBA-të dhe Izraeli sulmuan republikën islamike në fund të shkurtit, duke bllokuar një rrugë nëpër të cilën kalon zakonisht një e pesta e naftës botërore.
Presidenti amerikan kërkoi që marinat e NATO-s ta ndihmonin të rihapte rrugën e ngushtë ujore muajin e kaluar, por u refuzua nga kryeqytetet evropiane të cilat thanë se kjo do të ishte e pamundur ndërsa konflikti vazhdonte, me disa që theksuan gjithashtu se kjo "nuk ishte lufta jonë".
Tre zyrtarë të njohur me diskutimet thanë se Trump u përgjigj duke kërcënuar të ndalonte furnizimet për PURL, iniciativën e NATO-s për prokurimin e armëve për Ukrainën, e financuar nga vendet evropiane.
Si rezultat, dhe me nxitjen e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, një grup vendesh, përfshirë anëtarët kryesorë të aleancës, Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, lëshuan një deklaratë të dakordësuar me nxitim më 19 mars, e cila thoshte:
“Ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në përpjekjet e duhura për të siguruar kalim të sigurt përmes Ngushticës [së Hormuzit].”
Një nga zyrtarët e informuar mbi diskutimet tha:
“Ishte Rutte ai që këmbënguli për deklaratën e përbashkët sepse Trump kishte kërcënuar të tërhiqej nga PURL dhe nga Ukraina në përgjithësi.”
"Deklarata u hartua shpejt dhe vendet e tjera iu bashkuan më pas sepse nuk kishte kohë të mjaftueshme për të ftuar të gjithë të regjistroheshin menjëherë."
Rutte ishte i përfshirë në disa telefonata me Trump dhe sekretarin e shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dy ditët para se të lëshohej deklarata, thanë dy zyrtarë.
Një zyrtar tjetër tha se Rutte, në një telefonatë me Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, shpjegoi se Trump ishte "mjaft histerik" ndaj refuzimit të evropianëve për të ndihmuar në mbrojtjen e Ngushticës së Hormuzit.
Zyrtarët britanikë këmbëngulën se Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të po diskutonin mbi një bazë “ushtarake” opsionet për sigurimin e ngushticës para 19 marsit, por nuk e mohuan se Uashingtoni kishte kërcënuar të tërhiqte mbështetjen për Ukrainën nëse vendet e NATO-s nuk do të ndërmerrnin hapa të mëtejshëm.
Zëvendëssekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha:
“Presidenti Trump e ka bërë të qartë zhgënjimin e tij me NATO-n dhe aleatët e tjerë, dhe siç theksoi presidenti, ‘Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë’.”
Trump ka shprehur vazhdimisht zhgënjimin e tij me aleatët evropianë që nuk kanë bërë më shumë për të ndihmuar luftën e SHBA-së kundër Iranit, ndërsa e ka cilësuar konfliktin në Ukrainë si një problem për Evropën.
“Ne jemi atje për të mbrojtur NATO-n, për t’i mbrojtur ata nga Rusia. Por ata nuk janë atje për të na mbrojtur ne. Është qesharake”, tha ai gjatë një takimi të kabinetit javën e kaluar.
Trump i tha Reuters se planifikonte të deklaronte në një fjalim drejtuar publikut amerikan të mërkurën në mbrëmje se do të merrte në konsideratë "absolutisht" tërheqjen nga NATO.
Një zyrtar i NATO-s tha se aleanca nuk komentoi mbi përmbajtjen e telefonatave të Rutte-s me udhëheqës të tjerë dhe e drejtoi FT-në te një deklaratë publike e bërë prej tij më 19 mars.
Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me acarimin e Trump ndaj aleatëve të NATO-s për Ngushticën e Hormuzit, Rutte tha:
“Jam i bindur se aleatët, si gjithmonë, do të bëjnë gjithçka në mbështetje të interesave tona të përbashkëta.”
Më shumë vende e kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët që kur ajo u publikua më 19 mars.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, tha të mërkurën se do të organizojë bisedime këtë javë midis 35 nënshkruesve mbi formimin e një koalicioni për të rihapur Ngushticën e Hormuzit "pasi të kenë ndaluar luftimet".
Operacionet SHBA-Izrael kundër Iranit kanë intensifikuar konkurrencën globale për raketat interceptuese PAC-3 të përdorura në sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe të përdorura nga vendet e Gjirit për t'u mbrojtur nga sulmet iraniane.
Interceptorët janë gjithashtu një pjesë jetësore e aftësisë së Ukrainës për t'u mbrojtur nga raketat ruse. Rubio tha të premten se furnizimet ushtarake amerikane për Ukrainën përmes mekanizmit PURL nuk janë ndikuar nga lufta në Lindjen e Mesme.
"Asgjë nuk është devijuar ende", shtoi ai.
Por Rubio nuk e përjashtoi mundësinë që SHBA-të në të ardhmen të kërkojnë të ridrejtojnë armët e destinuara për Ukrainën, për të rimbushur rezervat amerikane të shpenzuara në luftën kundër Iranit. “Nëse na duhet diçka për Amerikën dhe është amerikane, do ta mbajmë atë së pari për Amerikën”, tha ai. /Marrë nga Financial Times-përshtati në shqip Versus.al

