Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka qenë i ftuar mbrëmë në emisionin “Opinion” ku foli lidhur me procesin e regjistrimit të diasporës për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ai tha se ka rreth 1.1 milionë votues që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe se deri më tani janë bërë mbi 22 mijë kërkesa nga diaspora për të votuar.
“Shkon tek 7-8 minuta si proces regjistrimi. Janë 53% e atyre, të cilët kanë krijuar llogari në PER, e kanë realizuar në tentativën e tyre të parë. Kjo është mbresëlënëse për ne. 1.1 milionë votues shqiptarë janë jashtë dhe 2.6 janë këtu. Ne sistemin e kemi ndërtuar që të gjithë të regjistrohen në platformë”- tha Celibashi.
Sa i takon 2700 kërkesave të refuzuara deri më tani, Celibashi u shpreh se shkaku kryesor i refuzimit është fakti se nuk përputhet dokumenti i vërtetimit të adresës që dërgojnë emigrantët shqiptarë.
Ilirjan Celibashi: Kryesorja është që dokumenti i vërtetimit të adresës nuk përputhet përmbajtja e adresës që ka ky dokument me adresën që ka deklaruar vetë votuesi.
Blendi Fevziu: Pra jep një adresë tjetër dhe fut një dokument me një adresë tjetër. Ky është shkaku kryesor i djegieve..
Ilirjan Celibashi: Ky është shkaku kryesor. Ose ka ngarkuar një dokument i cili nuk përmban adresë fare. Ose ka ngarkuar një dokument që përmban adresë, por ky dokument nuk lidhet me emrin e zgjedhësit,, ose ka ngarkuar dokumenta që ka një adresë, por nuk është një dokument ligji për të vërtetuar adresën.
Procesi i regjistrimit të emigrantëve shqiptarë në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER), zgjat deri më datë 4 mars. Versus.al








