Partia Demokratike ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet parlamentare të 11 majit të cilat i quan “farsë zgjedhore”. Në kërkesën e dorëzuar në Kuvend, grupi parlamentar demokrat ka ngritur 24 akuza ndaj qeverisë për manipulim zgjedhor.
Sipas tyre, zgjedhjet u cënuan prej sistemit të patronazhimit, intimidimit të votuesve, përdorimit të administratës, ndikimin e bandave kriminale dhe manipulimin e votave të diasporës. Mes të tjerash, PD hedh edhe akuza për blerje votash nga ana e qeverisë si dhe përdorimin e lejeve të ndërtimit.
Propozohet që komisioni të ketë objekt veprimtarie: “(i) Verifikimin e ligjshmërisë të veprimtarisë të organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025; (ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, barazisë, lirisë dhe ndershmërisë në proceset zgjedhore të ardhshme.”
Demokratët propozojnë që komisioni të ketë 11 anëtarë prej të cilëve kryetari dhe 4 anëtarë i përkasin grupit parlamentar të PD dhe 6 anëtarë të jenë të PS. Versus.al







