Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka folur për mediat lidhur me procesin e votimit për zgjedhjet në Himarë deri në orën 12:00. Ai bëri me dije se rreth 6 mijë qytetarëve u ka skaduar apo u skadon sot karta e Identitetit. Sipas tij për një gjë të tillë, duhej të ishin marrë masat më herët dhe se KQZ nuk mund të bëjë asgjë për këtë.
“Janë 6 mijë votues me karta ID të skaduara. E kemi patur në mënyrë infiormale si problematikë ditët e fundit por në fund të fundit ngelet një çështje që është jashtë asaj sferës së përgatitjes dhe vëmendjes së KQZ. Është çështje që mund të ketë pikëvështrime të ndryshme. Sot nuk kemi patur komunikim me përfaqësues të qeverisë apo ministrisë së Brendshme sepse kjo çështje do duhet të ishte zgjidhur më parë.
Lidhet me interesin e vetë votuesve për të disponuar një mjet identifikimi sepse janë ata që e vlerësojnë nëse duan të kenë një kartë ID. Është interes që më së pari lidhet me vetë votuesit dhe më pas me kandidatët”- tha Celibashi.
Sa i takon incidenteve, Celibashi tha se në një prej qendrave të votimit kishte patur persona të paautorizuar që shënonin votuesit. Ndërsa një tjetër incident ishte shënuar edhe në Lukovë me përfaqësues të medias që nuk ishin lejuar të hynin në qendër.
“Në Lukovë kemi patur një incident me përfaqësues të medias që nuk janë lejuar të hyjnë në qendër votimi të filmojnë. Nëse një komisioner nuk pëlqen të dalë në media është i lirë të lërë detyrën sepse media e ka të drejtën të filmojë. Të gjithë kanë detyrimin të përdorin gjuhën shqipe. Por nëse për një arsye apo tjetër, pa qëllime që kërkojnë të sfidojnë ligjin, mund ta bëjnë këtë”- shtoi kreu i KQZ.
Ndër të tjera kryekomisioneri tha se pret që procesi i numërimit të përfundojë gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së nesërme. Ndërsa sa i takon identifikimit elektronik të votuesve, nënvizoi se nuk ka patur probleme. Versus.al








