Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, e ftuar mbrëmë në “Opinion” foli për objektivat e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit. Sipas saj, 71 mandate as që diskutohen për socialistët, madje presin rezultat edhe më të mirë se në zgjedhjet e 2021-it kur morën 74 mandate.
“Të gjitha këto falle elektorale nuk tregojnë respekt për publikun. Diskutimi nuk ka qenë fare i tillë, sepse që ne do marrim minimumin për të qeverisur, 71, kjo nuk diskutohet sot as nga më skeptikët, as nga sondazhet më skeptike me ne. Ne besojmë që do marrim një fitore më të madhe dhe më të sigurt dhe më gjithpërfshirëse sesa zgjedhjet e 2021-shit. Nëse kemi marrë 74 mandate, nuk besoj se ka diskutim sot që kjo është dyshemeja. Ne do marrim më shumë se aq”- u shpreh Spiropali.
Ndërsa në qarkun e Tiranës, pavarësisht se kryebashkiaku Erion Veliaj është i arrestuar prej më shumë se 2 muajsh, Spiropali tha se pret që PS të ketë një rezultat më të lartë elektoral se në 2021-in duke pretenduar për 20 mandate.
“Në Qarkun e Tiranës, besoj se do kemi një rezultat më të lartë elektoral se në zgjedhjet e 2021. Nuk mund ta parashikoj ashtu siç bëjnë lehtësisht forcat e reja. Padiskutim nuk biem nën 19 mandate dhe synimi ynë është 20 mandate në Qarkun e Tiranës. Sigurisht dyshemeja është 19 mandate, ne synojmë 20”, tha Spiropali, duke lënë të kuptohet se arrestimi i kreut të bashkisë, nuk dëmton aspak rezultatin e socialistëve në kryeqytet. Versus.al








