Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka publikuar së fundmi një detaj që sipas saj tregon nxitimin e qëllimshëm të prokurorëve të SPAK-ut për ta sulmuar politikisht. Në mbishkrimin e fotove të publikluara, Kryemadhi shprehet se goditja ndaj saj ka qenë e urdhëruar politikisht duke përdorur një ligj që është shffuqizuar 4 vite më parë.
Ajo akuzoi më tej edhe prokurorët e SPAK, duke i konsideruar si “analfabetë dhe ushtarë funksionalë”.
“Drejtësia e re me ligjet e vjetra. Të nderuar qytetarë, aq me nxitim dhe aq me urdhër e ka pasur kjo drejtësi e re goditjen time politike, sa që kanë përdorur një ligj të shfuqizuar jo pak por plot 4 vite më parë.
Të jenë analfabetë funksionalë apo ushtarë funksionalë?! Këtë le ta gjykojnë shqiptarët.
Shikoni, vlerësoni dhe gjykoni vetë faktet me poshtë, por mos harroni që secilin nga anëtarët e kësaj drejtësie e paguajmë 5-6 mijë euro/muaj ne të gjithë së bashku. Kjo është drejtësia që duam?”- shkruan Kryemadhi bashkëshoqëruar me fotot e publikuara.
Të mërkurën, GJKKO la në fuqi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Kryemadhin e cila akuzohet se ka kryer 3 vepra penale, pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie. Para mediave ajo tha se të gjitha pagesat e bëra prej saj janë të deklaruara ndërsa u përpoq të hiqte përgjegjësinë nga Meta sa i takon kësaj gjëje duke thënë se ai nuk ka pasur asnjë dijeni mbi blerjet e bëra prej saj. Meta u la në burg për të njëjtat akuza. Kreu i partisë së Lirisë akuzohet për favorizimin e kompanisë “DIA” të Kastriot Ismailajt në atë që njihet si dosja e aferës “CEZ-DIA”. Gjatë seancës ish-presidenti i parë i arrestuar në vendin tonë, pati përplasje me kreun e SPAK, Altin Dumani duke i cilësuar hetimet dhe arrestimin e tij si të urdhëruara politikisht nga kryeministri Edi Rama në prag të zgjedhjeve parlamentare. Versus.al








