POLITIKË /

Arrestimi i dhunshëm i Metës, Avokati i Popullit nis hetimet

Përkundër pretendimeve, policia thotë se ka zbatuar detyrën dhe se nxjerrja me dhunë e Metës ishte bërë si pasojë e ofendimeve të tij ndaj agjentëve të Operacionales.

Shkruar nga Versus
Arrestimi i dhunshëm i Metës, Avokati i Popullit nis hetimet
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe momenti kur arrestohet në hyrje të Tiranës, 21 tetor

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetimet administrative për mënyrën e arrestimit të Ilir Metës më 21 tetor teksa hynte në Tiranë i shoqëruar nga sekretari organizativ i PL, Artemis Peca.

Mësohet se Avokati i Popullit do të bëjë vlerësimin e procedurave të mënyrës së arrestimit të kreut të Partisë së Lirisë i cili në pamjet e publikuara shihet teksa nxirret me forcë nga makina me të cilën udhëtonte.

Fillimisht u raportua se arrestimi i Metës u bë nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit që janë nën kompentencën e SPAK-ut, por më pas u mësua se zbatimi i urdhrit të arrestit ishte bërë nga ana e efektivëve të Forcave Operacionale.

Mënyra e dhunshme e arrestimit të ish-presidentit ngjalli shumë reagime, me zyrtarët opozitarë të cilët e konsideruan këtë si urdhër politik të dhënë nga kryeministri Edi Rama. Ndërsa vetë policia në një reagim të bërë, shprehet se ish-kryeparlamentari kishte kundërshtuar dhe ofenduar efektivët e Forcave Operacionale në momentin kur këta të fundit i kishin komunikuar masën e arrestit.

Të mërkurën ndaj kreut të Partisë së Lirisë u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Ndërsa ndaj të pandehurve të tjerë, deputetes Monika Kryemadhi, shoqes së saj Ema Çoku dhe babat të Erisa Xhixhos, Petro Xhixho (ish-kreu i AKEP), u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Aktualisht ish-presidenti po qëndron në ambientet e burgut 313 në Tiranë, ndërsa avokatët e tij kanë apeluar masën e sigurisë. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: