
Në seancën plenare të mbajtur të martën, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla shpërtheu ndaj protestuesve të opozitës, duke i fyer me epitetin “lapangjoz”. Një prej kritikave të hapura ndaj tij vjen nga ish-ministri socialist i Financave Arben Malaj i cili shkruan se ky lloj klasifikimi i protestuesve është gjëja më e ulët që mund të bëjë një politikan.
Malaj thotë se për çdo gjë që Balla e qeveria po akuzojnë PD-në, e kanë bërë edhe ata vetë kur kanë qenë në opozitë. Ndërsa mes të tjerash ngre pikëpyetje për Ballën sesi do t’i kishte quajtur protestuesit e 21 janarit nëse nuk do të kishte ndodhur vrasja e 4 prej tyre.
Postimi i plotë i Malajt:
Profesor Servet Pellumbi një prej ikonave të PS dhe të majtës shqiptare argumentonte se: ' shtypja e kundërshtarëve i ngjan shtypjes së një suste. Sa më shumë e shtyp aq më fortë ajo të kthehet pas.
Për cdo komentues pas këtij postimi që shajnë, fyejnë dhe banalizojnë të tjerët, emrat e tyre do të bllokohen menjëherë dhe mesazhet e tyre do të fshihen po menjëherë.
Gjuha poshtërueese dhe provokuese ndaj protestuesve, në çdo rast, është jo e dobishme, sepse i ngjan hedhjes së benzinës në një zjarr. Ky klasifikim i mijëra protestuesve me epitete fyese dhe përçmuese është gjëja më e ulët që mund të bëjë një politikan. Pse Rilindja po ndjek një strategji ofenduese dhe përçmuese ndaj opozitës së vendit tonë?
Mosbindjen civile, pushtimin e podiumeve të Parlamentit. Zhurma me bilbila per te mos lejuar vazhdimin e punimve te seancave dhe tentativat për bllokimin e rrugëve nacionale i ka aplikuar me jo pak egërsi edhe vetë Rilindja.
Personalisht kam qënë dhe jam kunder tensionimit të jetës politike të vendit tone. sepse agresiviteti politik i rëndon më shumë popujve se sa politikanëve.
Po nëse më 21 Janar nuk do të kishte ndodhur vrasja shtetërore e katër protestuesve të pafajshëm, si do t’i quante sot shoku Taulant protestuesit e opozitës tonë, me shkopinj nëpër duar, duke tentuar të dhunonin policët dhe të sulmonin Kryeministrinë? Të gjitha librat e shenjtë japin një mësim të vyer: "kurrë mos i bëj tjetrit atë që nuk do të doje të ta bënte ai ty". Versus.al


