Zëvendës-kryeministrja Belinda Balluku ka “zbarkuar” në qendrat e numërimit në Fier, ku po ndjek nga afër e me intensitet procesin e numërimit të votave. Në rolin e saj si drejtuese politike e qarkut, Balluku nuk ka preferuar të qëndrojë në distancë, por është parë në këmbë, pranë tavolinave të numërimit, duke ndjekur çdo detaj me vëmendje të shtuar.
E shoqëruar nga disa bashkëpunëtorë, Balluku duket e angazhuar maksimalisht në këtë fazë të ndjeshme të zgjedhjeve, ku sytë janë drejtuar nga çdo fletë votimi që del nga kutitë.
Nga hapja e kutive të para në Fier, sinjalet janë të qarta: Partia Socialiste po avancon ndjeshëm ndaj Partisë Demokratike, duke dhënë shenja të një rezultati të favorshëm në këtë qark që konsiderohet tradicionalisht bastion i së majtës.
Atmosfera është e ngarkuar, tensioni i numërimit ndihet në ajër, por drejtuesit politikë janë të vendosur të mos lëshojnë terren – as në vota, as në prezencë. Balluku e ka bërë të qartë se është aty jo vetëm për të mbikëqyrur, por edhe për të dhënë mesazhin politik: PS nuk e lë Fierin pa fitore.







