POLITIKË /

Berisha “ftesë” Lapajt, komenton firmat për Shabanin dhe dorëheqjen e Gjekmarkajt

Berisha: Pranoj kritikat, por jo largimin e deputetëve nga partia

Shkruar nga Versus

Berisha “ftesë” Lapajt, komenton firmat për Shabanin dhe

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda dhe rreth PD-së, duke pranuar publikisht gabimin për firmat e hedhura në mbështetje të Endrit Shabanit, por duke e bërë të qartë se ky episod nuk mund të shërbejë si arsye për largime nga partia.

Në një bashkëbisedim me qytetarët, Berisha tha se kritikat për këtë veprim janë të drejta dhe se për gabimin është kërkuar ndjesë. Sipas tij, firmat u vendosën në një klimë politike ku ishte krijuar një lloj koalicioni për kandidatin e Tiranës dhe më pas janë tërhequr zyrtarisht. Megjithatë, ai theksoi se largimi nga PD për këtë arsye do të ishte, sipas tij, një favor i drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama.

Në këtë kontekst, Berisha u ndal edhe te dorëheqja e nënkryetarit të PD-së, Agron Gjekmarkaj, e cila u dorëzua për shkak të firmës së hedhur për Shabanin, tashmë Avokat i Popullit. Berisha bëri të ditur se dorëheqja nuk është pranuar, duke insistuar se PD duhet të përballet me gabimet, por jo të dëmtojë veten përmes përçarjes.

Një tjetër pikë e fortë e deklaratës ishte qëndrimi ndaj Adriatik Lapajt. Berisha theksoi se Lapaj nuk përjashtohet nga mbështetja e PD-së dhe se protesta e tij është e drejtë, duke e përshëndetur publikisht aktin dhe reagimin e tij. 

Në fund, Berisha bëri thirrje për protesta kombëtare më 22 dhjetor, duke kërkuar vazhdimin e presionit politik deri në krijimin e një qeverie teknike. Sipas tij, vetëm përmes mobilizimit qytetar mund të arrihet ndryshimi politik dhe të ndalet ajo që ai e cilëson si degradim i demokracisë dhe i shtetit ligjor. /VERSUS

Poll