
Tiranë- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka sqaruar se vendimi për shpalljen “non-grata’ të Sali Berishës nuk do të ndryshojë pavarësisht se ky i fundit mori zyrtarisht vulën e Partisë Demokratike të martën.
Në reagimin zyrtar thuhet se SHBA nuk do të angazhohet në bashkëpunim me persona të shpallur non-grata duke e cilësuar këtë si çështje të sigurisë kombëtare për vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA.
Angazhimet tona me aktorët politikë do të mbështeten fort tek përkushtimi që ndajmë ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, përfshi sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Siç ka vërejtur Presidenti Biden në mënyrë të përsëritur, lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”- thuhet në reagim.
Më 19 maj të vitit 2021, Sali Berisha dhe familjarët e tij u shpallën non-grata nga SHBA. Ish-kryeministri u cilësua si i përfshirë në akte korrupsioni dhe minim të demokracisë. Vetë sekretari i Shtetit, Antony Blinken e njoftoi vendimin për shpalljen non-grata të Berishës. Kjo solli edhe përjashtimin e këtij të fundit nga grupi parlamentar i PD që ishte akt pararendës për “sagë” 2 vjeçare të përçarjes së partisë, debat i cili u mbyll të martën me vendimin e gjykatës së Apelit që njohy zyrtarisht Sali Berishën si kryetar të PD. Versus.al







