POLITIKË /

Bledi Çuçi letër KQZ për të shtyrë orarin e votimit në Vlorë: Giro d’Italia do shkaktojë vonesa

Shkruar nga Versus

Bledi Çuçi letër KQZ për të shtyrë orarin e

Drejtuesi politik i PS, Bledi Çuçi i ka drejtuar KQZ-së një kërkesë për shtyrjen e afatit të votimeve për qarkun e Vlorës.

Sipas degës së PS në këtë qark, etapa e tretë e garës së çiklizmit “Giro d’Italia” që zhvendoset nesër në Vlorë, mund të ndikojë qarkullimin në disa zona dhe të shkaktojë vonesa në paraqitjen e qytetarëve në qendrat e votimit për të shprehur vullnetin e tyre.

Sipas Çuçit, duhet që orari të shtyhet nga 19:00 që është aktualisht deri në orën 22:00 për shkak se shumica e rrugëve do të jenë të bllokuara për rreth 4 orë.

Letra drejtuar KQZ:

Në vijim të komunikimit me Bashkinë e Vlorës, ju informoj se në datën 11 Maj 2025, në territorin e kësaj Bashkie do të zhvillohet aktiviteti sportiv ndërkombëtar "Giro D'Italia". Masat e ndërmarra për organizimin e këtij eventi do të përfshijnë bllokimin e 14 akseve kryesore rrugore në qytetin e Vlorës dhe zonat përreth, shumica e të cilave do të qëndrojnë të bllokuara për më shumë se 4 orë. Sipas informacioneve të marra nga Bashkia e Vlorës, bllokimi i këtyre akseve rrugore do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie. Në përgjigje të kërkesës për informacion, Bashkia e Vlorës na ka vendosur në dispozicion një listë të detajuar të akseve rrugore që do të bllokohen dhe qendrave të votimit të cilat do të afektohen nga ky bllokim, të cilën mund ta gjeni bashkëlidhur kësaj shkrese.

Bazuar në këtë informacion dhe duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00. Vlerësojmë se kjo shtyrje e orarit është e domosdoshme për të garantuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar dhe për të siguruar një proces zgjedhor të papenguar, ku çdo qytetar të ketë mundësi për të ushtruar të drejtën e tij për të zgjedhur.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, Bledar Çuçi, Drejtues Politik i Partisë Socialiste Vlorë

Gara çiklistike e zhvilluar në vend që prej 9 majit ka shkaktuar radhë të gjata trafiku gjatë ditës së djeshme në Tiranë dhe Elbasan e Durrës. Versus.al

Poll