
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka folur me gjuhë të ashpër në parlament ndërsa po diskutohet drafti për Kodin e ri Zgjedhor. Ai është rikthyer në ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008, kohë ku përzgjedhjen e kandidatëve e mori 'ekskluzivitet' Kryetari i Partisë duke deklaruar se nga 2009 e pas, PD nuk ka mundur më të fitojë asnjë palë zgjedhje.
Ai ka deklaruar se kryeministri Rama me këtë kod nuk do ketë nevojë të dalë fare në fushatë dhe se pas zgjedhjeve 2025, opozita do të jetë shndërruar në një shoqatë.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që po marr pjesë në ceremoninë martesore midis PD dhe PS, por fatkeqësisht mungon kryeministri, ministrat dhe disa deputetë që të dëshmojnë për këtë martesë. Të gjithë deputët do të kthehen gra me listën 1/3 mbyllur. Rama, të përgjërohem mos dil në fushatë në 2025 sepse e ke të fituar, ndërsa pas 2025 PD do të jetë shoqatë dhe jo parti. Nga viti 2009 nuk kemi fituar më, as në zgjedhjet e 2017, as në 2021 dhe as nuk do të jemi në 2025. Nuk mund t’ia lejoj vetes që të dal para atyre demokratëve që donin të fitonin në 2025. Kjo është për të ardhur keq. Tani, shpjegimin e sistemit që do të votoni ju, do të kemi 4 lista të zgjedhores. Lista e ajkës është lista e lepirësve dhe servilëve, listë që sdo ketë më burra po do të jenë bërë gra. Duke patur parasysh zgjedhjet e 2021, është mashtrim hapja e listave, nuk janë të hapura asnjë. 1/3 e mbyllur e servileve të partisë nuk do të kenë shansin të jenë fare ne listë për tu votuar. Ato do të jenë në shtëpi dhe do të kthehen ne shtator si gra. 1/3 do të bëntë sens e mbyllur nëse do të kishte vetëm një subjekt politik. E vërteta është se sipas zgjedhjeve të 2021 kemi 39 deputetë nga lista e hapur dhe 109 nga lista e mbyllur. 28 deputetë janë nga lista e hapur e PS dhe 11 nga lista e hapur e PD”, tha deputeti Sula.
Duke folur për përzgjedhjet e kandidatëve nga kryetari i partisë, Sula u shpreh se ky akt do të çojë në kuvend të paaftët, servilët ndërsa iu drejtua si shembull Gjiknurit duke kërkuar se pse duhet të ishte ai në Kuvend 'meqenëse është i bukur' dhe të mos jetë ai vetë pasi është i shëmtuar.
Si replikë Gjiknuri i tha se:
"Ti je i shëmtuar, por bën humor të bukur. Ju vetë e pranoni që rezultati i 2025 do të jetë njësoj si 2021, por ju keni hallin tuaj se ku do të ndodheni në listë dhe mendohet se në garë jeni për të fituar, ato që janë në favor të PS mund të jenë edhe të PD. Në garë hyhet për të fituar"./ Versus.al








