POLITIKË /

Deklarata e përbashkët/ Rama: Shqiptarët u bashkuan me vuajtjen e popullit palestinez, por nuk shprehën urrejtje ndaj Izraelit

Rama gjithashtu komentoi mbi qëndrimin e shqiptarëve ndaj konfliktit në Gaza, duke vënë në dukje se popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, ka treguar solidaritet ndaj popullit palestinez pa u ngritur në urrejtje kundër Izraelit.

Shkruar nga Versus
Deklarata e përbashkët/ Rama: Shqiptarët u bashkuan me vuajtjen e
Edi Rama/ Benjamin Netanyahu

Gjatë deklaratës së përbashkët me homologun e tij izraelit Benjamin Netanyahu, kryeministri shqiptar, Edi Rama, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Izraelit, të cilat, sipas tij, kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis popullit shqiptar dhe atij hebre që është forcuar gjatë shekujve.

Rama vuri në dukje se trashëgimia historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje të veçantë, duke e cilësuar si një dëshmi të kurajës morale të gjyshërve tanë, që duhet të ruhet brez pas brezi.

Kryeministri nënvizoi se qeveria shqiptare është plotësisht e përkushtuar për të promovuar këtë trashëgimi të çmuar dhe mban një qëndrim të vendosur kundër antisemitizmit, si brenda vendit, ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Rama gjithashtu komentoi mbi qëndrimin e shqiptarëve ndaj konfliktit në Gaza, duke vënë në dukje se popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, ka treguar solidaritet ndaj popullit palestinez pa u ngritur në urrejtje kundër Izraelit.

Ai theksoi se kjo tregon maturinë dhe respektin e vendit tonë për marrëdhëniet ndërkombëtare, duke theksuar se Shqipëria qëndron fuqishëm kundër antisemitizmit dhe islamofobisë dhe nuk lejon që urrejtja apo diskriminimi të udhëheqë vendimet dhe veprimet e saj.

Kryeministri Rama: Dua ta theksoj dhe një herë se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët  në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi.Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese. Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë. Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera./Versus.al

Poll