
Pas denoncimit të bërë nga deputetja e PD, Denisa Vata se në Mat punonjësit e administratës publike po u bënin presion votuesve duke shënuar emrat e personave që paraqiteshin për të votuar, ka reaguar edhe kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.
Në konferencën për mediat ku njoftoi se shifra e pjesëmarrjes në zgjedhje në 5 bashkitë ishte 13% deri në orën 13:00, ai theksoi se lokalet në Mat ku ligjvënësja pretendoi se ishin mbledhur punonjësit e administratës, nuk kishin lidhje me qendrën e votimit.
“Kemi komunikuar me Policinë e Shtetit për të verifikuar dokumentacionin që disponon çdo individi që pretendon se është i angazhuar në procesin zgjedhor, përveç 1 apo 2 rasteve nuk ka rezulton tjetër problematikë. Nuk kemi për momentin raportime të tilla. Kemi një diskutim në Mat për disa lokale që janë hapur afër një qendër votimi, por ato janë bare normale dhe nuk kanë lidhje me parti politike, e kemi sqaruar dhe me partitë politike që e kanë ngritur si shqetësim”, tha Celibashi. Versus.al

