
Deputeti Erald Kapri dhe Barbara Doda ishin sot në selinë e PD si përfaqësues të partisë “Mundësia” për të zhvilluar bisedime me Belind Këlliçin dhe Ilir Alimehmetin për një kandidaturë të përbashkët sa i takon zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë Tiranë.
Në dalje, Kapri nuk zbuloi një emër konkret, por tha se deri më tani po respektohet parimi që propozimet të jenë jashtë partive politike. Sipas tij me rëndësi është që të gjendet një kandidaturë që nuk mund të shantazhohet dhe të jetë njëri me integritet të plotë në publik.
“Për ne ka rëndësi parimi, nuk po vëmë kushte për emrin. Po respektohet ky parim, ndryshe ne nuk do të ishim këtu. Është shuëm e rëndësishme kjo sepse mendojmë se kjo është forma e vetme që mund të fitohet Tirana. Një emër me integritet të plotë të pashantazhueshëm. Njeri profesionist, publik dhe që i ka shanset të fitojë përballë Manastirliut”- u shpreh Kapri mes të tjerash.
Në këtë takim nuk ishin të pranishëm Agron Shehaj dhe Flamur Noka të cilët kanë patur edhe përplasje me njëri-tjetrin në Kuvend. Versus.al







