
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka folur sërish për ish-deputetin Ervin Salianji dhe mundësinë që ky i fundit të kandidojë për kreun e partisë në zgjedhjet që do të mbahen më 23 maj.
Ai përsëriti se Salianji nuk është më as anëtar i PD gjë që sipas Nokës ka ardhur si pasojë e përfshirjes së ish-deputetit në aktivitete kundër interesave të partisë.
“Salianji nuk është anëtar i PD, flas për anëtarët e PD. Shteti ka ligje ka dhe Kushtetutë dhe kur shkel ligjet dhe Kushtetutën e vendit, shteti ka ligje që të tregon vendin. Kështu funksionojnë shoqëritë, edhe partitë. E kemi bërë publike në mbledhjen e kryesisë dhe jashtë kryesisë. Kur ti je në një shtëpi dhe unë të kam hapur të gjitha dyert dhe të them rri, ti thua jo do dal se më fut Gysi dhe Sueli nga dritarja. Atëherë këto dyer nuk i keni më të hapura. Ervin Salianji nuk e lidh asgjë me PD sot sepse ka nen statuti dhe rregullorja që përcakton që kur përfshihesh në një aktivitet kundër interesave dhe programeve të partisë, ti humbet të drejtën për të qenë anëtar. Neni 10 i rregullores thotë kur t’i angazhohesh në aktivitete me mbështetjen e grupeve kriminale apo të majtën ekstreme, humb të drejtën për të qenë anëtar i partisë. I është komunikuar në mbledhje të kryesisë, publikisht në media. Vetëpërjashtimi nuk ka nevojë për vendim”, tha Noka.
Ndërsa nuk ngurroi të akuzonte Salianjin për lidhje me grupet kriminale duke e cilësuar si instrument në duart e mazhorancës.
“Aktivitete e tij kishin qëllim për të spostuar zhurmën mediatike dhe politike brenda PD. Janë aktivitete anti PD. Instrument total në duart e maxhorancës për të goditur PD”, shtoi deputeti. Versus.al

