Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me gratë për çeljen zyrtare të fushatës së PS ka vënë theksin tek pozita aktuale e vendit në arenën ndërkombëtare, duke pretenduar se tashmë Shqipëria gëzon më shumë respekt se kurrë.
Duke vijuar më tej, kreu i qeverisë bazoi gjithë pretendimet e fitores tek gratë, duke u shprehur se ato ashtu si Shqipëria e kanë pasur të vështirë për shkak të mentalitetit të meshkujve shqiptarë.
‘’Arsyeja e arsyes për të cilën mendoj se ne socialistët kemi të drejtën të shohim në sy për mandatin e katërt. Ajo është ngritja e dinjitetit të Shqipërisë në këmbë, nga një zhgarravinë në një linjë të drejtë dhe fakti që i dhamë marrëdhënieve tona ndërkombëtare, shije që nuk e ka pasur kurrë nëna Shqipëri, shijen e respektit të munguar gjithmonë. Sot Shqipëria vlerësohet e dëgjohet si asnjëherë më parë. Në këtë arsye të arsyeve, ato të cilat e kuptojnë se çfarë po them janë gratë dhe vajzat. Sepse përpjekjet e grave dhe vajzave gjatë gjithë këtyre viteve shtetbërje demokratike, lufta për të qenë të pacënuaraa në dinjitet, janë simetrike. Në raport me të huajt Shqipëria ka vuajtur ekzaktësisht atë që keni vuajtur shumë nga ju në raport me botën hajvane mashkullore shqiptare. Unë besoj për këtë arsye që sapo përshkruajta, shqiptarët e Evropës janë të dytët pas grave dhe vajzave në Shqipëri që e kanë patur sfidë vendosjen e dinjitetit në vend. Sot nuk e ulin më kokën kur thonë nga je’’- tha Rama.
Në mbyllje të fjalimit të tij nuk ngurroi sërish të ironizonte kreun e PD, Sali Berisha duke thënë se gratë do i japin fitoren PS-së.
‘’Dua që më 11 maj të marrim mbështetjen më të madhe ndonjëherë nga gratë dhe vajzat e Shqipëris. Kush ka me vete gratë dhe vajzat ka me vete energjinë më të mirë dhe më të shëndetshme të shoqërisë. Lajmi i mirë është që burrat dhe djemtë e mençur shqiptar e dinë shumë mirë këtë. Me 60% të grave shqiptare dhe 45% të djemve se tjerët nuk i kemi mirë për momentin, ne bëjmë surprizën e fortë për Shqipërinë 2030.Do ndezim zjarrin më të madh fermëror në historinë e zgjedhje. Do jenë gratë dhe vajzat që do prezantojnë bufin me noc Rrokun’’- përfundoi Rama. Versus.al








