
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike u mblodh ditën e sotme për të diskutuar lidhur me strategjinë politike në vazhdim përballë mazhorancës. Kryedemokrati Sali Berisha tha se zgjedhjet që po bëhen në degët e PD, po ecin me normalitet.
Por ju kërkoi deputetëve që të angazhohen secili për të shtuar anëtarësimet e reja në PD, pasi kjo do të jetë një ndër elementët e vlerësimit të punës së gjithësecilit.
“Ndërkohë do ta mbyll me dy kërkesa të tjera për ju zotërinj deputetë. Në të gjitha degët e vendit po zhvillohen zgjedhjet. Janë zhvilluar dhe kanë ecur me një normalitet në tërësinë e tyre, por detyrë më e rëndësishme sot janë anëtarësimet e reja.
Unë bëra edhe dje një mbledhje me drejtuesit politikë dhe koordinatorët, por secili prej jush është i ftuar të kontribuojë në mënyrën më serioze që mund të kontribuojë në anëtarësime të reja. Është jetike për PD-në ky proces.
Mos harroni që ne kemi një problem madhor, spastrimin etnik për shkak të politikave të Edi Ramës, largimin e njerëzve nga Shqipëria. Ndaj dhe duhet ta përparësoni, duhet të kontribuoni me të gjithë mundësitë tuaja për anëtarësime të reja. Duhet ta vlerësojmë në shkallë maksimale. Është kushti i të gjitha kushteve që kjo forcë politike të rezistojë e pamposhtur ndaj kësaj diktature autoritare të bazuar në drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Është gjithashtu një tregues në vlerësimin e punës së gjithsecilit. Duhet ta marrim në mënyrën më serioze”- u shpreh Berisha ndër të tjera.
Sot në selinë blu u shfaqën këshilltarët bashkiakë të përjashtuar të PD në Durrës për të cilët Berisha pretendon se kanë punuar për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit. Ata thanë para mediave se kjo ishte një hakmarrje ndaj tyre për shkak të mbështetjes që i kishin dhënë lëvizjes së Salianjit. Versus.al


