
Rritja e çmimeve të karburantit po vazhdon të ushtrojë presion të fortë mbi sektorin e transportit, ndërsa ndërhyrja e qeverisë përmes bordit synon vetëm frenimin e abuzimeve, jo uljen e kostove reale. Në këtë situatë, transporti mbetet një nga sektorët më të goditur.
Përfaqësues të Shoqatës së Transportit u takuan me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe ministrin e Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ku në fokus ishte rikthimi i një skeme kompensimi të përdorur gjatë vitit 2022.
Kjo skemë parashikonte subvencion prej 100 lekësh për litër karburanti për linjat urbane dhe ndërurbane, ndërsa tani pritet të rishikohet në varësi të çmimeve aktuale.
Sipas operatorëve, çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, nga rreth 145 lekë/litër në mbi 200 lekë, duke sjellë një kosto shtesë prej 60-70 lekësh për litër.
Përveç karburantit, janë rritur edhe shpenzimet për pjesë këmbimi dhe mirëmbajtje, me një rritje që arrin deri në 30%.
Shoqata e Transportit kërkon që skema e kompensimit të ketë edhe efekt prapaveprues, duke përfshirë karburantin e përdorur gjatë muajit mars.
Ata paralajmërojnë se, në mungesë të mbështetjes, sektori mund të detyrohet të reduktojë flotën, deri në pezullim aktiviteti për disa operatorë.
Nga ana tjetër, ministri Karakaçi u shpreh më i rezervuar, duke theksuar se një vendim i tillë është ende në fazë diskutimi dhe se ndërhyrja e vitit 2022 u ndërmor vetëm pasi çmimet arritën nivele edhe më të larta se aktualisht.
Një tjetër takim mes palëve pritet të zhvillohet javën e ardhshme, ku do të diskutohet më konkretisht për masat që mund të merren./Versus.al


