Ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Enea Karakaçi foli para gazetarëve pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë ku prezantoi disa vendime të marra. I pyetur nga gazetarët lidhur me mundësinë e heqjes së taksës së qarkullimit në kohën kur çmimi i naftës ka arritur nivele shumë të larta, Karakaçi tha se politikat fiskale nuk duhen prekur në kohë krizash.
“Çdo shtet sot e ka taksën e qarkullimit, por është në varësi të shteteve përkatëse. Ka shtete që e mbajnë në taksën vjetore të mjeteve, ka vende si Shqipëria që vjelja e taksës së qarkullimit me çdo litër naftë, është menduar kështu sepse paguan më shumë kushdo që përdor më shumë karburant.
Masa e marra deri tani janë krijimi i një Bordi Transparence për qytetarët, që nuk ka marrë ndonjëherë masa në dëm të qytetarëve. Implikimet fiskale nuk duhen prekur sidomos në kohë krize. Ministrja e Ekonomisë ka referuar planin e qeverisë për uljen e akcizës në rast rritje çmimi”, tha ai.
Çmimi i naftës në vend arrin deri në 218 lekë pas vendimit të fundit të Bordit të Transparencës. Versus.al

