
Gjatë komunikimit që pati me ndjekësit në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe disa pyetjeve lidhur me plazhet publike në vend. Përkundër asaj që shprehte qytetari, Rama tha se nuk është e vërtetë se qytetarët nuk kanë akses në zona të caktuara që cilësohen si private.
Ndërsa theksoi se këtë vit do ketë një plan më ambicioz sesa vitin e kaluar për të liruar hapësirat publike.
“Çdo vit e më e vështirë të bësh plazh në Shqipërinë tonë”- shkruan komentuesi.
“Jo në fakt e kundërta është e vërtetë. Çdo vit kemi ardhur duke vënë më shumë disiplinë dhe duke krijuar më shumë hapësirë për të gjithë. Plazhet nuk mund të jenë ekskluzivitet i atyre që kanë mundësi apo duan të shërbehen në hapësira të administruara privatisht. Të gjitha plazhet duhet të ofrojnë për ata që duan të jenë tërësisht të lirë dhe të pacënuar për të marrë kënaqësinë e tyre duke shfrytëzuar hapësira publike. Plani që do të zbatohet është tejet ambicioz dhe ka një ndryshim radikal nga vjet. Ne jemi duke e ndjekur dhe sapo ka filluar. Rri i qetë, në gjithë territorin do kesh hapësira ku mund të bësh plazh t’i kërkosh askujt asgjë”- iu përgjigj Rama. Versus.al







