POLITIKË /

Dy ditë jashtë burgut 'për të ndenjur' në Kuvend, ‘Sterilizimi’ mbyllet pa dëshminë e Ilir Beqajt

Mbledhja e nisur mëngjesin e djeshëm nga komisioni, u mbyll mëngjesin e sotëm, por pa arritur asnjë rezultat sa i takon dëshmisë së Beqajt për sterilizimin.

Shkruar nga Versus

Dy ditë jashtë burgut 'për të ndenjur' në

Dy ditët e fundit të afatit për mbylljen e komisionit hetimor të koncesioneve në Shëndetësi, u konsumuan pa sjellë asnjë rezultat në pyetjen e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj i cili u nxorr dy herë nga burgu për të shkuar në kryesinë e Kuvendit.

Sot është dita e fundit e veprimtarisë së komisionit, pasi socialistët dje rrëzuan kërkesën e demokratëve për shtyrje të mëtejshme.

Mbledhja e komisionit u mbyll në orën 02:20 pa pasur dëshminë e Beqajt i cili që në ditën e parë ngulmoi që në deklaratën kontekstuale të tij të përdorte foto të cilat i kishte printuar për të treguar sesi kishte qenë gjendja e mjeteve spitalore para koncesionit të ‘Sterilizimit’.

Një kërkesë e tillë nuk u pranua nga demokratët të cilët vijuan përplasjen me deputetët e mazhorancës. Një ndër kërkesat e deputetëve të PD ishte edhe paraqitja e kryeministrit Edi Rama dhe biznesmenes Vilma Nushi për t’u marrë në pyetje si dëshmitarë. Socialistët nuk u pajtuan me këtë kërkesë dhe për pasojë mbledhjet e të dy ditëve u bazuan vetëm në batuta, akuza dhe përplasje mes deputetëve pa arritur asnjë rezultat tjetër.

Komisioni i Sterilizimit ka nisur punën rreth 7 muaj më parë pas marrëveshjes së arritur mes PS dhe PD për ngritjen e komisioneve hetimore të cilat kishin qëllim hetimin e atyre të cilat opozita i cilësonte si “afera korruptive”.

Afati për daljen e një raporti përfundimtar mbi punën e komisionit, u shty për dy herë për shkak të kaosit të krijuar nga PD. Ndërsa konferenca e kryetarëve nuk ka miratuar kërkesën e opozitës për të shtyrë për të tretën herë komisionin me justifikimin se ende nuk janë marrë në pyetje si dëshmitarë kryeministri Edi Rama dhe sipërmarrësja Vilma Nushi.

Prej tre vitesh, SPAK po heton koncesionin e Sterilizimit dhe ka lëshuar edhe disa masa sigurie për arrest me burg ndaj ish-zv ministrit të Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj kompania “SanService” e të cilit u shpall fituese e koncesionit. Të dy këta të fundit kanë dëshmuar më herët në komision. Ndërsa për ish-ministrin Ilir Beqaj është caktuar masa “detyrim paraqitje” për dosjen e tenderit të Sterilzimit të miratuar në 2015-ën. Versus.al

Poll