Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar zyrtarisht se zyrtarë të lartë serbë kanë kryer përgjime ilegale gjatë takimeve zyrtare në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi. Sipas Kurtit, ky akt përfaqëson një qasjetë re, sabotuese dhe destruktive të Serbisë ndaj procesit të dialogut dhe ndaj vet Bashkimit Evropian si ndërmjetësues.
Reagimi i Kurtit erdhi në mbledhjen e fundit të Qeverisë në detyrë, pasi televizioni Dukagjini publikoi këtë javë audioincizime të Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, gjatë një takimi të zhvilluar më 17 shtator 2020 në Bruksel.
“Ky është një rast jashtëzakonisht serioz që dëshmon për veprime të organizuara, sistematike dhe të fshehta nga Serbia, që minojnë dialogun dhe shkelin çdo standard të sigurisë dhe transparencës,” – deklaroi Kurti.
Përgjime, spiunazh dhe dyshime për shantazh
Audio-incizimet e publikuara zbulojnë biseda të Popoviqit me zyrtarë evropianë rreth pronave në Kosovë, ndërsa më pas janë shfaqur edhe mesazhe që dëshmojnë lidhjet e tij me Bojan Dimiqin, një prej drejtuesve të shërbimit sekret serb, BIA.
Sipas ekspertëve të sigurisë, këto përgjime kanë për qëllim jo vetëm mbledhjen e informacionit, por edhe ndërtimin e profileve psikologjike të negociatorëve, të cilët më pas mund të shantazhohen në faza të ndryshme të dialogut.
“Përgjimet analizohen në detaje – intonacioni, mënyra e të folurit, qëndrimi, e deri te gjestet – për të krijuar dosje të plota mbi zyrtarët,” – shpjegon Fadil Kajtazi, ekspert i sigurisë.
Ai shton se zyrtarët serbë kanë mundur të anashkalojnë masat e sigurisë përmes imunitetit diplomatik, duke përdorur ambientet e BE-së si pika informimi për BIA-n serbe.
Analisti politik Afrim Kasolli e ka cilësuar rastin si një skandal të rëndë diplomatik, ku jo vetëm Serbia, por edhe vet Bashkimi Evropian mban përgjegjësi.
“Nuk është vetëm Serbia që duhet të mbajë përgjegjësi. Edhe zyrtarët e BE-së duhet të japin shpjegime se si një zyrë e tyre mund të përdoret për qëllime të shërbimeve sekrete,” – u shpreh Kasolli.
Pavarësisht publikimit të fakteve dhe reagimeve në Kosovë, BE deri tani nuk ka dalë me asnjë deklaratë zyrtare, duke ngritur dyshime për mungesë transparence apo përpjekje për të shmangur tensione të reja në një proces tashmë të brishtë dialogu.
Igor Popoviq u arrestua më 18 korrik 2025 në Kosovë, pasi gjatë një deklarate e kishte quajtur UÇK-në “organizatë terroriste”, duke nxitur urrejtje dhe tensione ndëretnike. Arrestimi i tij, si dhe publikimi i përgjimeve, kanë thelluar edhe më tej mosbesimin mes palëve në prag të rifillimit të raundit të ri të bisedimeve.
Skandali i përgjimeve në zemër të institucioneve evropiane, në një proces që pretendon të sjellë normalizim dhe paqe, ngre pyetje serioze mbi sigurinë diplomatike dhe paanshmërinë e ndërmjetësimit europian.
Analistët kërkojnë hetim të pavarur ndërkombëtar, transparencë të plotë dhe sanksione ndaj atyre që kanë cenuar integritetin e procesit të dialogut. /Versus.al







