POLITIKË /

“E shndërroi 1990-ën në vitin e mrekullisë”, Berisha për Lëvizjen Studentore: Azem Hajdari, prijësi legjendar

Berisha tha se të rinjtë janë sot shpresa e vetme për rrëzimin e Ramës nga pushteti.

Shkruar nga Versus

“E shndërroi 1990-ën në vitin e mrekullisë”,

Kryedemokrati Sali Berisha ka qenë i pranishëm në homazhet në nder të Azem Hajdarit, drejtuesit të protestës së 8 dhjetorit 1990. Gjatë fjalës së tij, Berisha përshkroi gjendjen e vendit asokohe ndërsa tha se protesta e studentëve erdhi në një moment kur ishin vrarë të gjitha shpresat.

Duke e cilësuar Azem Hajdarin si ‘prijës legjandar të protestës’, Berisha tha se studentët e dhjetorit do të mbeten gjithmonë në historinë e vendit për ndikimin e tyre në rrëzimin e regjimit komunist, ndërsa e mbylli fjalën e tij me thënien: “Azem ti je gjallë”.

“Protestat e guximshme të qytetarëve të Shkodrës, të Kavajës, protesta e heshtur e Tiranës dhe kryengritja paqësore e 2 korrikut, e të rinjve që hynë në ambasada dhe ndezën zemrat dhe shpresat e shqiptarëve, u shtypën dhe bashkë me to shpresat e shqiptarëve të topitur që ndanin njëri me tjetrin frikën nga dhuna shtetërore dhe përtypnin në çdo kafshatë varfërinë dhe shumica e tyre mjerimin e vërtetë. Ndaj mund të thuhet se gjer me 8 dhjetor, viti 1990 po mbyllej si vit i shpresave të vrara, i dëshpërimit të thellë, një anum horribilis për shqiptarët në historinë e tyre.

Por lëvizja studentore e vitit 1990, beteja paqësore e studentëve në rrugë dhe sheshet e këtij qyteti të bekuar dhe në kryeqytetin e vendit, triumfi i tyre mbi diktaturën e shndërroi dhjetorin dhe vitin 1990 në vitin e mrekullisë të kombit shqiptar, anum mirabilis.

Hodhi themelet e lirisë dhe ndërtimit të shoqërisë së lirë në Shqipëri, të zëvendësimit të hiperkolektivizimit total me tregun e lirisë, tëdaljes së vendit nga izolimi më i thellë, të hapjes dhe integrimit evropian dhe euroatlantik të tij. Kjo lëvizje, çështjen kombëtare, nga një çështje e tradhtuar nga klika hoxhiste, e vendosi në piedestalin e merituar për zgjidhjen e saj. Idealet e rinisë studentore të dhjetorit 1990 ishin dhe mbeten idealet më të larta, më fisnike njerëzore dhe kombëtare shqiptare. Këto ideale, energjia e tyre i bëri shqiptarët më të lirë se kurrë. U riktheu atyre dinjitetin e munguar njerëzor. Vendosi në Shqipëri pluralizmin e vërtetë politik, sistemin demokratik. Anëtarësuan Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO, i dhanë asaj propozimin për statusin e vendit kandidat në BE.

Kosova u bë e pavarur ndaj dhe 8 dhjetori i vitit 1990 është dita e nderimit të lirisë dhe vlerave të saj nga mbarë shqiptarët, i nderimit të veprës së pavdekshme të prijësit legjendar të asaj lëvizje, Azem Hajdari dhe studentëve liberatorë që shkallmuan dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët. Azem Hajdari dhe studentët liberatorë do mbeten të pavdekshëm në panteonin e lirisë së kombit shqiptar përgjithmonë. Azem, ti je gjallë!" Versus.al

Poll