POLITIKË /

Edi Rama: Do të përdorim edhe Inteligjencën Artificiale në shëndetësi!

Shkruar nga Versus

Edi Rama: Do të përdorim edhe Inteligjencën Artificiale në

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, deklaroi se me buxhetin e ri do të garantohen të gjitha medikamentet për pacientët e sëmurë, si dhe rimbursimi i 400 mijë pacientëve.

Rama theksoi se ky takim u organizua për të uruar festat e fund vitit dhe për ta patur në fokus fëmijët që po kalojnë festat nën kujdesin mjekësor, mjekët, infermierët dhe ekipet e urgjencës mjekësore dhe specializantët pasi ata kanë edhe pjesën e vështirë teksa punojnë larg familjeve të tyre.

“Ka marrë 50 milionë euro më shumë se sa këtë vit dhe nuk janë pak për buxhetin tonë. Ka marrë 15 milionë euro ekstra vetëm për barna onkologjike dhe do të shtohet edhe një 15 milionë tjetër në mesin e vitit të ardhshëm për të pasur një tjetër mbështetje. Do të sigurojmë të gjithë sistemin Onkologjik me barna.

Dhe kjo do të bëhet me rrjetëzimin e sistemit në spitalet rajonale. Duke siguruar protokollet dhe të gjithë sigurimin me barna. Kemi vendosur në buxhet domethënës për të rimbursuar 400 mijë pacientë. Flasin njerëzit, por këto janë gjëra pjesë e këtij vizioni”, tha Rama.

Rama tregoi se do të vijojnë me ambicien për platformën e QSUT dhe Institutin Kombëtar të Tumoreve, sepse sëmundja e kancerit është kthyer në një problem ndërkombëtar tashmë, duke vrarë shumë njerëz në botë:

“Do të vazhdojmë edhe me platformën e QSUT për të mbyllur ato që kanë mbetur pa mbyllur. Ambicia është Instituti Kombëtar i Tumoreve për të pasur edhe një rrjet kombëtar, sepse është bërë problem ndërkombëtar dhe jo vetëm kombëtar, sepse kanceri po vret kudo në botë”.

Gjithashtu kreu i qeverisë deklaroi se do të rrisë rrogat për bluzat e bardha, sikurse edhe indeksimin përkatës vjetor.

“Do të rrisim pagat e mjekëve dhe infermierëve. Do të rriten 35 euro në muaj, do të bëhet edhe indeksimi vjetor i pagës për mjekë, infermierë dhe teknikë, që do i shkojë plus asaj rritjes që folëm. Do të rrisim dixhitalizimim dhe do të fusim sa më shumë edhe Inteligjencën Artificiale për trajtimin e pacientëve dhe ndërhyrjet kirurgjikale të tyre”, u shpreh Rama.

Kryeministri i kushtoi vëmendje edhe dixhitalizimit dhe modernizimit të mjekësisë, ku tha se do të përdoret edhe Inteligjenca Artificiale në ndërhyrjet kirurgjikale të pacientëve./Versus.al

Poll