Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka cilësuar si një “rast korrupsioni” emërimin e Ermal Onuzit në krye të Gardës së Republikës 6 ditë më parë.
Bardhi tha se për emërimin e Onuzit duhet të ngrihet një komision etike që të hetojë mënyrën sesi është zbatuar ligji i miratuar vitin e kaluar për Gardën e republikës. Ndërsa vetë Ermal Onuzin, Bardhi e cilësoi si një “investim të një oligarku”.
“Më 10 shtator ministri i i ri I Brendshëm tha se kishte zgjedhur drejtorin e ri të gardës pas një gare të madhe. Por në fakt ai ishte zgjedhur që më përpara. Në mars të 2023-t në këtë sallë kur miratuat ndryshimet për gardën e republikës iu kam thënë se ka shkelje. Për këtë ligj është investuar një oligark.
Ligjet me porosi janë kthyer në traditë për këtë mazhorancë. Është në përgjegjësinë tuaj zonja kryetare që të ngrini një komision etike sesi erdhi ligji kush e solli dhe kush e votoi”- tha Bardhi.
Parashtrimi i tij u bë para nisjes së interpelancës urgjente me kryeministrin Edi Rama për skandalin e transportit të mbetjeve toksike. Versus.al








