Tiranë- Flojera Davidhi do të jetë gjyqtarja e caktuar për seancën paraprake që do të zhvillohet për aferën “Partizani” në të cilën është marrë i pandehur ish-kryeministri Sali Berisha dhe 4 persona të tjerë.
Davidhi u caktua nga shorti i hedhur ditën e sotme dhe do të drejtojë seancën paraprake ku do të vendoset nëse çështja do të vazhdojë për gjykim apo do të pushohet. Duhet që brenda 10 ditëve, gjyqtarja të caktojë datën e seancës paraprake për të pandehurit.
Caktimi i gjyqtares u bë një ditë pasi SPAK dorëzoi zyrtarisht në GJKKO dosjen me 333 fashikuj ku ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohen për korrupsion pasiv ndërsa të pandehur janë edhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Në total të pandehur për aferën, janë marrë 5 persona nën akuza të ndryshme, konkretisht:
Ish-kryeministri Sali Berisha në arrest shtëpie prej muajit dhjetor, akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim me dhëndrin e tij
Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës dhe një prej trashëgimtarëve të pronave në ish-kompleksin sportiv të Partizanit, akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash
Fatmir Bektashi, ndërtuesi i kullave në kompleks, akuzohet për korrupsion aktiv të zyrtarëve të lartë, në këtë rast të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe për pastrim parash
Andia Pustina, juristja që ka kryer veprimet proceduriale në kalimin e pronësisë, akuzohet për pastrim parash
Xhimi Begeja, kushëri dhe ortak i Jamarbër Malltezit, akuzohet për pastrim parash. Versus.al








