Duke qenë se tani gjithë gjasat janë që Endri Shabani me firmat e mbledhura nga deputetët e PD të zgjidhet në parlament si Avokati i Ri i Popullit, ka shqetësuar deputetët e Partisë Demokratike.
Ishte deputeti i PD, Saimir Korreshi, në intervistën e mëngjesit me Flavio Qorrin në “Kafe Shqeto” në Syri.tv, deklaroi se sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe kryetari i grupit parlamentar,Gazment Bardhi kishin dhënë direktivë për mbledhjen e firmave në mbështetje të kandidatit për Avokatin e Popullit.
I pyetur me këmbëngulje nga moderatori se cila ishte konkretisht udhëzimi i ardhur nga drejtuesit e PD, Korreshi u përgjigj:
“Na thanë t’i japim firmat që të mos prishim punë me njeri. U tha: lëreni të lirë, bëni qoka, do t’ua japim të gjithëve. Prandaj i dhamë të gjithëve, se është edhe fundviti.”
Deputeti, i njohur për prirjen e tij për humor edhe në situata serioze siç është zgjedhja e Avokatit të Popullit, e paraqiti kështu procesin si një vendim të marrë “për sy e faqe” dhe jo mbi bazë meritash.
“Ua tha Gaz Bardhi”? ishte pyetja që gazetari i drejtoi Saimir Korreshit.
“Ku e dëgjove ti Gaz Bardhin. Na e tha Shoku Flamur”, ishte përgjigja e deputetit Korreshi duke qeshur.
“Përtej shakasë”, ngulmoi më tej gazetari.
“Ka pasur kolegë të PD që e kanë dhënë për njërin apo për tjetrin. Ti ke një sekretar të Përgjithshëm dhe një kryetar grupi parlamentar. Merri dhe pyeti ata” u përgjigj Korreshi.
“Ju thatë se ishte direktivë e sekretarit” pyeti gazetari.
“Eshtë pyetur Sekretari i PD. Por nëse ka thënë për Endri Shabanin apo ndonjë tjetër, këtë nuk e ka thënë. Këtu pyetja është: a do të kemi një proces?” u përgjigj korreshi.
“Çdo kandidat ka pasur një deputet që e ka ndihmuar. Endri Shabanin kush e ka ndihmuar”, ngulmoi gazetari.
“Nuk më kujtohet. Është pak shpejt sa jam zgjuar nga gjumi”, përgjigjet Saimir Korreshi.
Duket se procesi i votimit të Avokatit të Popullit po shkon drejt fundit. Me firmat e mbledhura nga PD, Endrit Shabani pritet të zgjidhet në këtë pozicion, pavarësisht se PD tani është tërhequr nga procedura dhe nga votimi./Versus.al

