POLITIKË /

"Europa të rindërtojë të ardhmen e Ukrainës" Rama: Të mos presim derisa të bjerë plumbi i fundit

Shkruar nga Versus

"Europa të rindërtojë të ardhmen e Ukrainës"

Kreu i qeverisë, Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës që mbahet në Poloni. Duke e nisur fjalën me një batutë, kryeministri tha se rindërtimi duhet të nisë pa pritur që të bjerë plumbi i fundit i luftës me Rusinë.

Sipas tij, rindërtimi i Ukrainës dhe integrimi europian i Ballkanit Perëndimor janë procese që i shërbejnë njëri-tjetrit. Rama shtoi se duke qenë se Ukraina po rindërton guximin e Europës, Europa duhet të rindërtojë të ardhmen e Ukrainës.

"Jam i sigurt se kontributi më i mirë që prisni nga unë është një fjalë e shkurtër, këtë do të bëj. Besoj se koncepti i këtij takimi është shumë i thjeshtë: nëse rindërtimi pret derisa të bjerë plumbi i fundit, atëherë do të jetë tashmë tepër vonë. Dhe pikërisht për këtë arsye jemi sot këtu.

Ndërkohë, Ukraina po rindërtohet, ndërsa njëkohësisht mbron veten. Ky është kuptimi i madh i kësaj konference. Shqipëria është këtu me një bindje shumë të thjeshtë: Ukraina duhet ta sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri me të cilën po mbron lirinë e saj.

Nga ana tjetër, ne e shohim rindërtimin e Ukrainës dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor si procese që përforcojnë njëri-tjetrin. Të dyja kanë të bëjnë me plotësimin e Europës, forcimin e qëndrueshmërisë së saj dhe uljen e cenueshmërive strategjike.

Natyrisht, rindërtimi nuk është bamirësi, por strategji. Nuk bëhet fjalë vetëm për të riparuar atë që është shkatërruar, por për të ndërtuar një Ukrainë demokratike, europiane, moderne dhe të qëndrueshme, duke treguar se e gjithë Europa është e aftë ta bëjë këtë.

Dhe, në përfundim të kësaj fjale të shkurtër, të cilën jam i bindur se do ta vlerësoni, Ukraina po rindërton guximin e Europës. Europa duhet të ndihmojë në rindërtimin e së ardhmes së Ukrainës"- tha Rama. Versus.al

Poll