Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot ndaj vendimeve të gjykatësit Klarent Demiri, i cili ka penguar ekzekutimin e vendimeve për çlirimin e hapësirave publike.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama thekson se Demiri ka marrë dy vendime të tilla, duke shkelur interesin publik dhe komunitetar, si dhe duke penguar zbatimin e programeve qeveritare në funksion të zhvillimit të qyteteve dhe të integrimit në BE.
Sipas kryeministrit, asnjë përfaqësues i pushtetit të pavarur gjyqësor nuk do të tolerohet kur përdor pavarësinë e tij për të penguar ekzekutimin e vendimeve në interes të publikut.
Rama shton se për rastin e gjykatës Demiri do të njoftohen organet e pavarura të qeverisjes dhe kontrollit të gjyqësorit, po ashtu si në rastet e prokurores Gjeli dhe gjykatësit Balliu.
Postimi i plotë i kryeministrit Rama:
Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”?
Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE
Një gjë është pak po e sigurtë:
Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut
Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokurore Gjelin dhe për gjykatës Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre.







