Presidenti Bajram Begaj ka dhënë një intervistë nga SHBA për emisionin Real Story ku ka folur mbi dekretimin e qeverisë Rama 4. I pyetur nga Sokol Balla nëse presidenti ka bërë ndonjë përpjekje për të mos lejuar abuzimin e mazhorancës me pushtetin, Begaj u shpreh se abuzimi me pushtetin nuk varet nga numrat.
Ndërsa më tej tha se i takon opozitës që të kontrollojë pushtetin e mazhorancës dhe të mos lejojë abuzimet.
‘’Pyetja juaj qëndron sepse në ambientin tonë shoqëror pyetje të tilla ngrihen dhe janë pjesë e kulturës politike. Mendoj që pozicioni i Presidentit të Republikës është i përcaktuar qartë në kushtetutë dhe se Presidenti duhet të ushtrojë detyrën e vet në neutralitet dhe paanësi. Çdo devijim nga ky postulat do të bënte që Presidenti të shkelte Kushtetutën dhe unë mendoj që mospërfshirja e Presidentit të Republikës në debatin e politikës së ditës është gjëja e duhur që unë do ta bëj gjatë gjithë kohës së mandatit tim.
Për të ardhur te pyetja juaj sa ligje janë kthyer apo kush do të ushtrojë kontrollin e maxhorancës, në sistemet demokratike ndarja e pushteteve është e përcaktuar qartë dhe presupozohet që pushteti i ekzekutivit kontrollohet nga opozita dhe opozita në këtë rast duhet të jetë një opozitë e fortë, një opozitë e cila do të bëjë të mundur që qeveria të bëjë gjënë e duhur. Abuzimi me pushtetin nuk varet nga numrat. Mund të kesh numra minimalist dhe të abuzosh me pushtetin. Ndërsa sa i përket ligjeve të kthyera unë besoj se ato ligje që janë kthyer janë publike dhe janë në interes të publikut’’- tha Begaj. Versus.al







