
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar sot një sërë takimesh në Durrës duke nisur me vizitën në një fasoneri ku ka propozuar disa politika që do të nxisin ndërmarrjet e grave në Shqipëri.
Por ajo çfarë u vu re gjatë nisjes së takimit të tij, ishte se në reshtin e personave që ishin mbledhur për ta pritur kryedemokratin, ishte edhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, i cili edhe kandidon për deputet në Durrës në listën e hapur.
Ndoja u shkarkua më 6 maj të vitit 2022 nga KPK nën dyshimin e lidhjeve të shumëfishta me krimin dhe për pasuri të pajustifikuar. Në vendim gjithashtu pasqyrohej lidhja e prokurorit Ndoja me Aleksandër Lahon “Rrumin e Shijakut’ i cili ishte i pranishëm në makinë me prokurorin në atentatin që iu bë në vitin 2019 tek rrethrrotullimi i Shkozetit.
Ish-prokurori ishte objektivi i të shtënave me armë zjarri si pasojë e të cilave mbeti i plagosur, ndërsa shoferi i tij Andi Maloku humbi jetën. Për ngjarjen u dënua me burgim të përjetshëm Redjan Rraja i cili dyshohet se është një ndër porositësit e atentatit. Versus.al








