
Sekretari i Përgjithshëm i organizatës “OMONIA”, Marin Suli i cili ishte njëherësh edhe kryetar i KZAZ-së nr.88 në zgjedhjet për bashkinë e Himarës, shprehu haptas mërzitjen e tij me rezultatin që i dha fitoren kandidatit të PS, Vangjel Tavo.
Me puro në dorë, dhe duke vështruar në telefon, Suli qartaz shpreh zhgënjimin e marrë nga humbja në zgjedhjet që i dhanë fund “sagës” mbi 1 vjeçare për drejtimin e bashkisë Himarë që pas burgosjes së Fredi Belerit më 12 maj, i cili u shpall fitues në zgjedhjet vendore të 14 majit, por nuk e ushtroi mandatin e tij për asnjë ditë pasi ndodhej në burg për blerje votash.
Këtë herë në krah të Gjikurias, Suli nuk ngurroi që ditën e djeshme të fliste edhe me emra në akuzë ndaj PS me pretendimin se komisioneri i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ishte kërcënuar në fshatin Vranisht.
“Zgjedhjet duhet të kishin shkuar shumë më mirë në një vend demokratik. Jemi në situatën ku administrata rilindase pothuajse ka pushtuar Himarën. Është e pamundur që në çdo qendër votimi të mos gjesh mbi 10 deri në 15 nënpunës shteti që bëjnë presion. Bandat kriminale janë në çdo qendër votimi. Kanë kërcënuar me jetë, me presion komisionerët tanë. S’janë një palë zgjedhje demokratike, janë zgjedhje të sforcuara. I bëj thirrje të gjithë himarjotëve të shkojnë e të votojnë një orë e më parë. Të mos kenë frikë nga presionet e maskarenjve, të rrugeçërve dhe bandave. Në Vranisht komisionerin tonë Ilia Gjiçalin e kanë kërcënuar me jetë. Në shkollën te lagjja 1 Maj po ashtu e njëjta gjë. Nënpunës të administratës dhe anëtarë të këshillit bashkiak Vlorë na kanë kërcënuar komisonerët. I kemi referuar në polici. Këto do të jenë objekt dhe subjekt denoncimesh dhe kallëzimesh penale pas mbarimit të procesit zgjedhor”, u shpreh ai dje.
Ndërsa të njëjtin pretendim e pati edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule i cili deklaroi se e gjithë administrate shtetërore dhe PS ndodhej në Himarë për të presionuar zgjedhësit. Versus.al








