Delegacioni i Bashkimit Europian do të vizitojë Tiranën përgjatë datave 26-29 tetor pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare që u mbajt në Strasburg pak ditë më parë. Pjesë e delegacionit, do të jetë edhe ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ish- i dënuar me 2 vite burg për blerje votash që tashmë do të vizitojë kryeqytetin e vendit, në funksionin e eurodeputetit.
Mësohet se Beleri do të jetë pjesë e delegacionit që do të takohet me kryeministrin Edi Rama më 29 tetor duke zëvendësuar eurodeputetin tjetër grek, Manolis Kefalogianis i cili nuk mund të jetë i pranishëm gjatë kësaj vizite në Tiranë.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka pasur deklarata të ashpra për Belerin para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 14 majit në Himarë, ndërsa Beleri pasi u arrestua nga SPAK më 12 maj i kapur në flagrancë për blerjen e 8 votave kundrejt 40 mijë lekëve, e cilësoi këtë si një sulm politik ndaj tij në përpjekje që PS të fitonte në bashkinë e jugut. Beleri u dënua me 2 vite burg ndërsa u lirua nga burgu më 2 shtator të këtij viti. Versus.al








