Kreu i partisë së re “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori i ftuar në Euronews foli mbi përjetimet e kësaj fushate elektorale dhe deklaroi se ajo çfarë i kishte bërë përshtypje është se njerëzit janë më të frikësuar se dy vite më parë kur ai kandidoi si i pavarur për bashkinë e Tiranës.
Por nga ana tjetër shtoi se edhe mbështetja është më e madhe. Madje tregoi edhe raste kur edhe makina e policisë i kishte rënë borisë për t’i treguar se atë do ta votojnë për zgjedhjet e 11 majit.
“Ajo çfarë më ka bërë përshtypje për keq është se qytetarët kanë më shumë frikë nga çfarë kanë pasur para dy vjetësh. Nga e dalloj unë? Ne shkojmë në treg, flasim me njerëzit dhe një nga shokët tanë bën një foto që ta reklamojë. Sot në Shqipëri, ka më shumë njerëz që thonë: Votën ta jap mbështetjen e ke mos na nxirr në foto se na hiqen fëmijët nga puna. Sot këtë gjë e ndjej më shumë se në 2023-shin.
Përshtypje për mirë më ka bërë fakti se edhe mbështetja është më e madhe. Nisur nga një kategori sociale. Kemi mbështetje nga shtresa sociale mjaft të madhe, nisur nga punëtorët, pensionistët, shtresa e mesme. Pak kujt i shko mendja që të jetë makina e policisë, ti bien borisë, dhe të sinjalizojnë me gisht që do të të votojmë ty, disa herë kjo gjë. Nisur kjo edhe nga raste konkrete, e vërej këtë gjë sepse Lëvizja ‘Bashkë’ ka arritur të ketë një fizionomi politike krejt të qartë, të njerëzve që kërkojnë të mirën publike dhe që mbajnë qëndrime serioze për disa çështje”, tha Qori.
Sa i takon sfidave financiare të fushatës, Qori tha se shpenzimet kanë qenë minimale.
“Sa i përket sfidave dhe vështirësive, mund të them se është edhe çështja e shpenzimeve edhe pse ato janë minimale. Ne kemi bërë një fushatë tejet modeste. Nga postimi në facebook i Lëvizjes Bashkë, janë sponsorizuar këtë muaj diku 500 dollarë në total”, shton Arlind Qori. Versus.al








