Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, kërkoi nga të rinjtë në Ditën e Rinisë të veprojnë për të sjellë Europën në Shqipëri. Gonzato thotë se integrimi europian është një mundësi për të cilën duhet të angazhohen të gjithë për ta arritur.
"Sot Shqipëria e ka një zgjedhje. A dëshironi ju t'iu vijë Europa këtu në Shqipëri apo dëshironi të ndiqni shembullin e atyre te rinjve të tjerë të cilët janë larguar nga Shqipëria për të shkuar në Europë? Procesi i anëtarësimit në BE, nuk është një proces teknik, është një proces politik. Është një mundësi unike që gjërat të ndryshohen në Shqipëri, për një Shqipëri më të mirë”, tha Gonzato.
Ambasadori i BE-së, bëri thirrje se duhet ti jepet fund korrupsionit, pandëshkueshmërisë dhe të punohet për të luftuar krimin e organizuar.
“Dhe kjo është thirrja ime për ju në mënyrë, që këto reforma të sjellin rezultate konkrete, që reforma të ndryshojë mendësinë, mënyrën se si njerëzit mendojnë. Për t'i dhënë fund korrupsionit, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të luftuar krimin e organizuar.
Për të sjellë begati edhe barazi për të gjithë, për të arritur një shoqëri gjithëpërfshirëse kur të gjithë kanë qasje si në arsim ashtu edhe në shëndetësi. Në mënyrë që të ndodhin të gjitha këto duhet të përshpejtohen punët. Ju duhet te mobilizoheni dhe të veproni. Përndryshe nuk do të ndodhin."-u shpreh Gonzato./Versus.al

