POLITIKË /

Hasani përplaset me Lajçak në Dubrovnik: Merru me dialogun Kosovë-Serbi, presim rezultate

Duke e kaluar nga tema kryesore që lidhej me progresin e Shqipërisë në BE, Hasani i kërkoi Lajçakut që të përqendrohet më së shumti në dialogun Kosovë-Serbi.

Shkruar nga Versus
Hasani përplaset me Lajçak në Dubrovnik: Merru me dialogun
Hasani dhe Lajçak në Forumin e Dubrovnikut

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin e Dubrovnikut, ka patur një debat me emisarin e BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Hasani tha se Shqipëria po i përmbush detyrat për të filluar negociatat për kapitujt e tjerë të anëtarësimit në BE.

“Sa i përket Shqipërisë, vijoi ai, nuk ekziston asnjë “pasiguri” apo “dyshim”. Dhe as justifikim për ata që duan të bllokojnë. Ne po i përmbushim detyrat tona të shtëpisë për të filluar negociatat për kapitujt dhe nuk duhet të lejojmë asnjë individ të hyjë në axhendën dypalëshe të një vendi. Shqipëria dhe partnerët e saj kanë investuar shumë në reformën e sistemit të drejtësisë dhe ajo ka filluar të krijojë besim me vendimet e saj. Njerëzit kanë nevojë për shpresë dhe ne do të përpiqemi të sjellim shpresë, përmes rezultateve”- tha Hasani.

Nga ana tjetër, Lajçak u shpreh se nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësim në BE dhe se çdo gjë duhet të bazohet në merita.

“Ndihem i obliguar që të përgjigjem në pyetjen që i bëri ministrit Hasani. Dua të them se ky proces është absolutisht i bazuar në merita.

Ka shumë politikë dhe gjeopolitikë në fazën përgatitore, vendimi për të dhënë statusin e kandidatit, ftesa për hapjen e negociatave për anëtarësim, por pasi të jeni në proces të anëtarësimit ju duhet të përmbushni kriteret, s’ka rrugë të shkurtër”, ka thënë Lajçak.

Por, ndaj këtij konstatimi ka reaguar menjëherë kryediplomati shqiptar.

“Nuk thashë asnjëherë rrugë të shkurtra..megjithë respektin ti je për dialogun Beograd -Prishtinë. Kështu që dua të jem i qartë në një gjë. S’kemi kushte për kushtet që na janë vënë. Le të jem i qartë për këtë”, ka thënë Hasani.

Lajçak reagoi duke thënë se “nuk jam duke polemizuar me ty Igli”.

Sërish Hasani i kërkoi që të përqendrohet më së shumti tek dialogu Kosovë-Serbi.

“Po, po, por rri te dialogu, do të jemi të lumtur nëse ke ndonjë rezultat, do të mbështesim, do të mbështesim vazhdueshëm sic kemi bërë…por rri te dialogu”, tha Hasani. Versus.al

Poll