POLITIKË /

“Hudhrat tona flasin keq kur arrihet sukses", Rama nderon mundësit rusë: Nuk i hypën autobusit gabimisht për Shqipëri

Gjatë fjalës së tij, Rama ftoi edhe sportistë të tjerë të huaj të garojnë në emër të Shqipërisë në disiplina të ndryshme të sporteve.

Shkruar nga Versus
“Hudhrat tona flasin keq kur arrihet sukses", Rama nderon
Kryeministri Edi Rama me 2 mundësit rusë

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së medaljeve për dy mundësit çeçenë të natyralizuar si shqiptarë, të cilët i siguruan Shqipërisë 2 medaljet e para në Lojërat Olimpike të zhvilluara në Paris.

Teksa lavdëroi mundësit Çermen Valijevi nga Osetia e Veriut dhe Islam Dudajevi nga Dagestani, të dyja zona të Rusisë, Rama nuk la pa përmendur edhe kritikët të cilët vinin në dukje origjinën e tyre duke thënë se Shqipëria nuk ka pse të krenohet me medalje të fituara nga sportistë që nuk janë shqiptarë.

Rama nënvizoi ndryshimet e arritura sa i përket sportit në vend dhe tha se sa herë Shqipëria ka një sukses, gjithmonë ka kritikë të cilët shpesh herë kanë informacionet e gabuara. Ndërsa tha se brenda 3 viteve të fundit, sportistët shqiptarë në të gjitha evenimentet, kanë arritur të sigurojnë 538 medalje në total.

“Vendet e tjera kanë shumë e shumë disiplina ku shkëlqejnë. Në këtë mënyrë ne kemi arritur t’i japim të gjithë atyre që djersisin më shumë se të gjithë të tjerë në arenën e betejave sportive jo vetëm mundësinë të stërviten në kushte optimale por edhe prespektivë të qëndrueshme në jetën e tyre edhe pas aktivitetit sportiv.

Sot Shqipëria u ofron sportistëve kushte që kurrë më parë nuk i kanë pasur. Nga ana tjetër kam marrë këtu këtë tufë letrash për informacion për të gjithë ata që… ne e dimë shumë mirë se sa herë që kemi një sukses, ka fatin se menjëherë dalin ca shqiptarë që kanë diçka për të thënë për keq. Në një kuptim ky është fat, por në një kuptim tjetër duhet adresuar kjo çështja e hudhrave sepse ka të bëjë me informacionin.

Sipas tyre ne nuk kishim pse të gëzohemi me këto medalje, sepse këto nuk ishin të Shqipërisë. Sipas tyre këto na erdhën si rezultat i dy djemve të ardhur nga larg që erdhën rastësisht këtu dhe në rrugë kapën autobusin e skuadrës olimpike dhe shkuan në Francë e u rrahën me ca të tjerë për të marrë medaljen.  Këtu janë medaljet e Shqipërisë në kampionate të ndryshme që nga kampionate europiane, në ato mesdhetare dhe ballkanike nga 2021 në 2024. Në këto 3 vite Shqipëria ka marrë 538 medalje”- u shpreh Rama.

Teksa u dha medaljet mundësve rusë, Rama tha se ata duhet të trajtohen njëjtë si qytetarët të lindur në Shqipëri dhe theksoi se çdo arritje është e rëndësishme për Shqipërinë në kampionate të tilla ku marrin pjesë të gjitha shtetet e globit.

“Këtyre dy djemve ne i urojmë të na sjellin të tjera medalje. Këtu janë njësoj edhe këta qytetarë të barabartë të Shqipërisë, njësoj si ata që kanë lindur në këtë vend. Dhe patjetër që askush nuk na ndalon dot të jemi krenarë me medaljet e tyre. Janë medalje të shumta në boks, medalje të shumta edhe në turne ndërkombëtarë të sporteve të tjera për të cilat nuk po zgjatem por po them vetëm kaq, që të ndërtosh një lëvizje sportive që arrin të ngjitet në nivele ku mund të konkurrojë me dinjitet, se Luiza Gega këtë herë nuk solli medalje por ishte atje dhe nëse ne do kemi nesër më shumë atletë që të marrin kaq sa mori Luiza këtë herë, kjo do jetë një gjë shumë e madhe për Shqipërinë, se është i gjithë planeti atje. Që Shqipëria të jetë edhe në 30 vendet që shkojnë më pranë finales, është mision absolutisht i përmbushur.  Hudhrat tona, donin të rrihnin Spanjën, Kroacinë dhe të vinin këtu me kupën e Euro 2024. Shyqyr që i kemi se po mos t’i kishim nuk do merrnim dot asnjë pikë atje”- shtoi kryeministri.

Në mbyllje të fjalës së tij, Rama falenderoi edhe kreun e federatës së mundjes ndërsa u bëri thirrje të huajve të tjerë që të konkurrojnë për disiplina të ndryshme të sportit. Versus.al

Poll