POLITIKË /

Ilir Alimehmeti kërkon rinumërim të votave në Qarkun e Tiranës: Dyshime për parregullsi në numërim

Në ankesën drejtuar KAS-it, Alimehmeti ngre shqetësimin se gjatë verifikimit të pamjeve filmike të siguruara nga KQZ-ja, janë konstatuar parregullsi që mund të kenë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në rezultatin përfundimtar.

Shkruar nga Versus
Ilir Alimehmeti kërkon rinumërim të votave në Qarkun e
Ilir Alimehmeti

Kandidati i Partisë Demokratike – Aleanca për Shpresë dhe Mirëqenie (PD-ASHM), Ilir Alimehmeti, ka paraqitur një kërkesë zyrtare pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), ku kërkon rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit në Qarkun e Tiranës.

Sipas vendimit nr. 1326, datë 24.05.2025, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Alimehmeti ka marrë 18,128 vota si kandidat i listës së hapur, duke u renditur i dyti në listën e kandidatëve të PD-ASHM-së.

Por, për shkak të ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor, vetëm kandidati më i votuar i listës së hapur përfiton mandatin e deputetit – çka në këtë rast e përjashton Alimehmetin, për një diferencë të ngushtë prej rreth 1.2% të votave.

Në ankesën drejtuar KAS-it, Alimehmeti ngre shqetësimin se gjatë verifikimit të pamjeve filmike të siguruara nga KQZ-ja, janë konstatuar parregullsi që mund të kenë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në rezultatin përfundimtar. Ai thekson një rast konkret në Qendrën e Votimit nr. 1834/00, ku sipas tij, 27 vota preferenciale të tij janë regjistruar gabimisht si 0, duke u kaluar një kandidati tjetër.

“Duke marrë parasysh se subjekti ynë ka marrë 164,316 vota në total, një gabim i tillë në më shumë se një QV mund të ndikojë në mënyrë vendimtare përfaqësimin në Kuvend”, thekson Alimehmeti në kërkesën drejtuar KAS-it.

Ai kërkon që, bazuar në këto dyshime dhe në dispozitat e Kodit Zgjedhor, të urdhërohet rinumërimi dhe/ose rivlerësimi i të gjitha Qendrave të Votimit në Qarkun e Tiranës, si dhe të ndryshohet tabela përmbledhëse e rezultatit, në përputhje me të dhënat e reja që mund të dalin nga procesi.

Kërkesa e Ilir Alimehmetit:

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 1326, datë 24.05.2025, ka miratuar tabelat përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë. Bashkëngjitur këtij vendimi, në tabelën përmbledhëse të rezultatit për subjektin tonë zgjedhor, rezulton se unë, Ilir Alimehmeti, kam marrë 18,128 vota si kandidat i listës së hapur, duke u renditur i dyti nga kandidatët e listës së hapur.

Referuar numrit të përgjithshëm të votave të subjekteve sipas këtyre tabelave, nga listat e subjektit tonë zgjedhor mund të zgjidhet vetëm 1 deputet nga listat e hapura, që referuar parashikimeve të Kodit Zgjedhor me ndryshimet e bëra së fundmi, është kandidati më i votuar.

Gjatë procesit të verifikimit të filmimeve të kamerave nga ana jonë, për një numër të kufizuar të cilat na janë vënë në dispozicion nga administrata e KQZ-së, janë vërejtur disa parregullsi që mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit në mënyrë të ndjeshme. Në këto kushte, po paraqes këtë ankim pranë KAS, bazuar edhe në dispozitat e Kodit Zgjedhor

Duke pasur parasysh faktin që subjekti ynë ‘PD-ASHM’ ka marrë 164,316 vota, rezultati për kandidatët mund të ndryshojë, në kushtet kur diferenca midis meje dhe kandidatit të renditur përpara në listë është tejet e ngushtë, ose rreth 1.2% e numrit total të të gjitha votave të subjektit. Vetëm në QV 1834/00, rezulton se 27 vota preferenciale për Ilir Alimehmeti i janë kaluar një tjetër kandidati, duke u shënuar në tabelën përmbledhëse 0 vota.

Qendrat e votimit të mësipërme krijojnë bindjen se numërimi ka pasur problematika në të gjithë Qarkun e Tiranës, duke krijuar shkak për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit.

Duke u bazuar në të dhënat e mësipërme, përfundimisht:

KËRKOJ:

Rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit të Qarkut Tiranë;

Ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse sipas rinumërimit dhe/ose rivlerësimit të votave./Versus.al

Poll