Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji është emëruar së fundmi drejtoreshë e spitalit rajonal të Elbasanit. Lajmin e bërë me dije ajo vetë nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale ku thotë se pavarësisht se nuk ishte një zgjidhje e lehtë politike, më së shumti ishte vendim profesional duke qenë se ajo është mjeke në profesion.
“Të nderuar qytetarë të Elbasanit, Sot kam pranuar me përgjegjësi dhe përulësi detyrën si Drejtoreshë e Spitalit Rajonal “ Dr. Xhaferr Kongoli” Elbasan. Kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor. Pavarësisht angazhimit tim të mëparshëm politik, unë kam qenë dhe mbetem mjeke. Profesioni im është thirrje, jo pozicion. Kam zgjedhur të jem aty ku mund të jap më shumë për shëndetin e njerëzve, për komunitetin tim, për qytetin që dua.
Elbasani është qyteti im, vendi ku jam rritur dhe ku kam ndërtuar identitetin tim profesional. Të jem në krye të institucionit më të rëndësishëm shëndetësor të këtij qyteti është për mua një nder, por mbi të gjitha një sfidë që kërkon përkushtim, dije dhe ndershmëri.
Shëndetësia ka nevojë për njerëz që e njohin sistemin, që ndjejnë barrën e përgjegjësisë dhe që janë të gatshëm të punojnë me përkushtim, përtej bindjeve dhe kornizave politike. Faleminderit për besimin. Angazhimi im do të jetë çdo ditë në shërbim të pacientit, stafit mjekësor dhe dinjitetit të kujdesit shëndetësor”- njofton Zheni Gjergji.
Kujtojmë se ky është i disati rast kur ish-deputetë dhe funksionarë të opozitës marrin poste të rëndësishme publike. Versus.al







