
Java që po lëmë pas ishte e tejmbushur me lëvizje të shumta në SPAK dhe procese në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sa i takon goditjes së të ashtuquajturve “peshqve të mëdhenj” të politikës.
Java nisi me lajmin e bujshëm të arrestimit të ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja i cili më 10 tetor la mandatin me arsyetimin e gënjeshtërt se kishte për të bërë një ndërhyrje kirurgjikale dhe vetëm 2 ditë më vonë u mor i pandehur nga SPAK. Kur dukej se politika “kishte rënë në qetësi” nga SPAK, agjentët e BKH arrestuan mbrëmjen e 20 tetorit Jurgis Çyrbjen teksa ky i fundit po qarkullonte në qytetin e Durrësit me një automjet që drejtohej nga shoferi i tij.
Akuzat ndaj tij rezultuan më të rënda sesa denoncimi që kishte bërë për të deputeti demokrat Edi Paloka në 2021-in kur e akuzonte për shpërndarje të hipotekave edhe pse Çyrbja nuk e mbante më postin e kreut të institucionit. Në dosjen e SPAK përpilohen akuza të rënda ndaj ish-deputetit si: tregtim i sekretit hetimor, korrupsion në zgjedhje dhe ndihmë e grupeve kriminale të Durrësit.

Mes të tjerash u zbulua se Çyrbja kishte fshehur në banesën e tij kreun e grupit “Hajri” të Shijakut, Altin Hajrin i cili prej janarit të vitit 2020 ishte shpallur në kërkim për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës. Në dosje thuhej se Hajri kishte ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 2021-it në mënyrë që Çyrbja të ishte deputet në listën e sigurt të Partisë Socialiste. Por pa lënë që opinion publik të thellohej në këtë çështje, ndodhi një tjetër arrestim i bujshëm që tronditi politikën shqiptare.
Prangosja me dhunë e Metës
Pak orë pas Çyrbjas, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili po kthehej nga Kosova, u arrestua me një aksion “sekret” të dhunshëm në hyrje të Tiranës teksa përgatitej të shkonte në selinë e PL-së për të mbajtur një konferencë për mediat. Pamjet e arrestimit të Metës bënë xhiron e rrjetit dhe u shfaqën edhe në mediat ndërkombëtare. Arrestimi i tij në atë mënyrë ishte i papritur nuk ishte raportuar për ndonjë rrezik i mundshëm që Meta të arratisej nga vendi. Gjithashtu analistë e politikanë të ndryshëm e cilësuan si arrestim të padenjë për një ish-zyrtar të lartë si Meta që ka mbajtur më herët postet më të larta shtetërore që nga kreu i Kuvendit deri tek i kryeministrit dhe presidentit.
Menjëherë pas arrestimit, SPAK doli me njoftim zyrtar mbi akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe ish-bashkëshortes së tij, deputetes Monika Kryemadhi. Të dy akuzohen për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje të pasurisë. Meta u la në qelinë e paraburgimit në bllokun e sigurisë së lartë gjersa doli para GJKKO ku u konfirmua masa e arrestit ndaj tij si dhe masa e sigurisë ndaj Kryemadhit e ndaj 2 bashkëpunëtorëve të tyre, Pirro Xhixho e Ema Çoku.
Gjyqi ndaj Berishës
Një ditë pas seancës së Metës u mbajt seanca për gjyqin paraprak të çështjes “Partizani” ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë që akuzohen si bashkëpunëtorë në procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv. Për mediat, avokati Genc Gjokutaj tha se ishte vendosur shtyrja e seancës deri më datë 25 nëntor për shkak të numrit të lartë të dosjes prej 160 mijë faqesh të cilat duhen shqyrtuar të gjitha prej avokatëve.
Ndërkohë, nga ana e socialistëve, SPAK mori të pandehur deputetin aktual Plarent Ndreca nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera sa i takon rikonstruksionit të 4 komisariateve të vendit. Ndreca mban edhe pozicionin e nënkryetarit në komisionin hetimor të koncesioneve në Shëndetësi.

Tashmë me dy liderët e opozitës të arrestuar, i gjithë opinioni publik pret që të ketë goditje të rangut të lartë edhe tek socialistët, mes të cilëve deri më tani edhe ata që arrestohen së pari lënë mandatin me arsyetime të tjera duke shmangur ato të përballjes me drejtësinë. Kjo javë ka tronditur të gjithë klasën e vjetër politike duke shembur disa prej personazheve që kanë udhëhequr me dekada politikën dje ekonominë e Shqipërisë. Por, ndërsa java ende nuk ka mbaruar a mos duhet të presim për të tjera zhvillime?! Versus.al








