Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja i arrestuar mbrëmë në Durrës nën akuzën e 3 veprave të rënda penale, është dërguar në bllokun e sigurisë së lartë gjatë orëve të vona të natës. *Ndaj tij rëndojnë akuzat për tregtim të sekretit shtetëror, përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion zgjedhor, si dhe lidhje me grup kriminal dhe komunikime në SKY ECC. *Detajet e zbuluara mëngjesin e sotëm bëjnë me dije se Çyrbja ka ndihmuar dhe strehuar në banesën e tij, Altin Hajrin, kreun e grupit kriminal “Hajri” në Shijak, i cili është shpallur në kërkim prej 4 vitesh nën akuzën e vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës në 2020-ën. *Në përgjimet e zbardhura në aplikacionin “Sky Ecc”, mësohet se Altin Hajri ka komunikuar me Ahmet Mashën, kunatin e vëllait të ish-deputetit i cili po ashtu u arrestua mbrëmjen e djeshme si dhe Edmond Çekiçin, ish-anëtarin e bandës së Durrësit për të bërë të mundur që Jurgis Çyrbja të ishte i treti në listën e kandidatëve të PS për deputet në qarkun e Durrësit. *Më 8 tetor, Çyrbja u paraqit në SPAK ndërsa 2 ditë më pas dorëzoi mandatin e deputetit me arsyetimin e gënjeshtërt se po e bënte pasi do t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale. Një ditë më pas, socialisti u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme.
Çyrbja dekonspiroi operacionet kundër 'kokave' të krimit në Durrës që blinin vota për të! Të përfshirë dhe zyrtarë të tjerë
Jurgis Çyrbja, ish-deputeti i Partisë Socialiste i arrestuar mbrëmjen e djeshme në Durrës akuzohet mes të tjerash se ka dekonspiruar disa herë operacionet e policisë së shtetit për kapjen e krerëve të grupeve kriminale në qytetin bregdetar.
Bëhet fjalë për 7 raste të zbulimit të sekretit hetimor ku Jurgis Çyrbja dhe zyrtarë ende të paidentifikuar, kanë bashkëpunuar për të njoftuar krerët e botës së krimit lidhur me operacionet e organizuara për kapjen e tyre.
Një prej rasteve të zbardhura nga SPAK është informacioni që Jurgis Çyrbja i ka dhënë Altin Hajrit kreut të grupit kriminal “Hajri” për shpalljen e tij në kërkim për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës. Po ashtu dyshohet se Çyrbja u ka dhënë informacion edhe personazheve të tjerë të botës së krimit të cilët ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas SPAK, Ahmet Masha i arrestuar mbrëmjen e djeshme është “nyja lidhëse” që përdorej nga Çyrbja për t’u dhënë informacion personazheve të botës së krimit që shpalleshin në kërkim ndërkombëtar, madje Masha po ashtu me anë të informacioneve që ka marrë nga ish-deputeti, ka dekonspiruar disa operacione të policisë së Durrësit.
Ndaj Çyrbjas rëndojnë akuzat: Tregimi i sekretit shtetëror, përkrahja e autorit të krimit, tregimi i sekretit shtetëror, korrupsioni aktiv në zgjedhje. Për Ahmet Mashën, akuzat janë tregimi i sekretit hetimor në bashkëpunim me Çyrbjan dhe korrupsioni pasiv në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në banesën e ish-deputetit, janë gjetur dhe sekuestruar:
1. Pesë telefona celularë;
2. Një hard disk i jashtëm Verbatim;
3. Një pajisje regjistrimi në formë pakete;
4. Shuma monetare prej 1,100 (njëmijë e njëqind) euro;
5. Dokumente pronësie, etj.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme, mbi bazën e referimit të bërë më datë 15.10.2024 nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në të njëjtën datë, ka proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr. 93 të vitit 2023 dhe regjistrimin e procedimit penal Nr. 93/1 të vitit 2024, si dhe vijimin e hetimeve për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, kryer më tepër se një herë, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal, pa autor.
ii. “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” kryer nga shtetasi J. Ç. më tepër se një herë (sipas episodeve respektive), parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal.
iii. “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer nga shtetasi J. Ç., më tepër se një herë (sipas episodeve respektive), parashikuar nga nenet 302/1/2 të Kodit Penal.
iv. “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim nga shtetasit J.Ç., dhe A. M., parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.
v. “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim nga shtetasit J. Ç., dhe A.M., parashikuar nga nenet 302/1 dhe 25 të Kodit Penal.
vi.“Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer nga shtetasi J. Ç. parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, si dhe
vii.“Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, kryer nga shtetasi A. H. parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet evropiane të drejtësisë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Për interesa të këtij procedimi penal, ndër provat e tjera, janë administruar edhe aktet e dërguara nga autoritetet franceze të drejtësisë, në kuadër të ndihmës së ndërsjelltë juridike në fushën penale dhe ka rezultuar se personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal kanë komunikuar ndërmjet tyre edhe me anë të aplikacionit të enkriptuar “Sky Ecc”.
Nga analiza e akteve të administruara deri në këto momente, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se, funksionarë publik (të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit), në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 7(shtatë) raste, kanë zbuluar akte të cilat ligji i përcakton si sekret shtetëror, pasi me përmbajtjen e tyre rezulton se është vënë në dijeni personi nën hetim J.Ç., duke konsumuar elementët e veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal, pa autor.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se aktet sekrete me anën e të cilave është vënë në dijeni personi nën hetim J.Ç., konfirmonin faktin se bashkëbiseduesit e aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” ishin persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ky informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror, i është transmetuar pikërisht personave të shpallur në kërkim.
Gjithashtu, personi nën hetim J.Ç., është vënë në dijeni edhe të disa planeve operacionale të Policisë së Shtetit, lidhur me kontrollet që do zhvilloheshin në zonën e Durrësit, me qëllim për të kapur personat e shpallur në kërkim dhe ky informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror u është transmetuar personave të shpallur në kërkim, si drejtëpërdrejtë prej tij, ashtu edhe përmes angazhimit të personit tjetër nën hetim A.M., me qëllim për të mundësuar njoftimi i personave të shpallur në kërkim, duke konsumuar elementët e veprës penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Informacionin që personat nën hetim J. Ç., dhe A. M., u kanë transmetuar personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar ka shërbyer si një e dhënë e rëndësishme që këta persona të qëndronin të fshehur me qëllim që t’i shpëtonin kapjes apo arrestimit të mundshëm nga strukturat e Policisë së Shtetit, duke konsumuar elementët e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 302/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Po ashtu nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se personi nën hetim J. Ç., në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka patur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim A. H., i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale. I hetuari J.Ç., për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A.H., duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Nga ana tjetër personi nën hetim A. H., në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga i hetuari J.Ç., i ofronte këtij të fundit që të votonte si dhe të siguronte votuesë në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
Për interesa të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masës të sigurimit personal për 3 (tre) persona në hetim dhe gjykata me vendimin e saj Nr. 126, datë 20.10.2024 ka vendosur pranimin e kërkesës, caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Ky vendim është vënë në ekzekutim nga ana e Prokurorisë së Posaçme po më datë 20.10.2024, dhe ka angazhuar strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku më datë 20.10.2024, është bërë e mundur prej tyre që të ekzekutohen masat e sigurimi personal vetëm për dy personat nën hetim J. Ç., dhe A. M., por nuk është bërë e mundur ekzekutimi i masës së sigurimit personal të caktuar nga gjykata ndaj personit tjetër nën hetim A. H., i cili ka qenë i shpallur person në kërkim që në muajin Janar të vitit 2020, në kuadër të procedimit penal me Nr. 62, të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme, për kryerjen e veprave “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” e kryer në bashkëpunim, “Trafikim i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës” të parashikuara nga nenet 109, 283/a, 278/1, 303 dhe 25 të Kodit Penal.
Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga policia gjyqësore janë ekzekutuar 3 (tre) vendimet e gjykatës, si dhe janë realizuar kontrolle (banesash, automjetesh, dhe personash).
Pas kontrolleve të ushtruara, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:
1. Pesë telefona celularë;
2. Një hard disk i jashtëm Verbatim;
3. Një pajisje regjistrimi në formë pakete;
4. Shuma monetare prej 1,100 (njëmijë e njëqind) euro;
5. Dokumente pronësie, etj;
Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Gjejmë rastin që të falenderojmë për ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre me Prokurorinë e Posaçme, gjatë hetimeve të këtij procedimi penal; Europol, Eurojust dhe autoritetet franceze të drejtësisë. Versus.al
Shiti sekretin hetimor kur ishte te ‘Siguria’, detaje të reja për Çyrbjan: Dyshohet se pagoi për t’u bërë deputet

Në dosjen që SPAK po heton për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja, ky i fundit akuzohet se ka shitur sekretin shtetëror gjatë kohës që ka qenë anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe një ndër akuzat ndaj tij është “tregtimi i sekretit shtetëror”.
Ndër të tjera, dyshohet gjithashtu se Çyrbja ka paguar për të qenë në listën e sigurtë për deputet të PS dhe lidhur me këtë fakt priten arrestime të tjera. Ahmet Masha, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme dyshohet se bleu vota për Jurgis Çyrbjan në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Sipas SPAK në përgjimet e “Sky Ecc” janë bërë komunikime mes kreut të grupit kriminal “Hajri”, Altin Hajrit dhe personazheve të botës së krimit për ta futur Çyrbjan në listën e sigurt për deputet të PS. Versus.al
Ndikoi në futjen e Jurgis Çyrbjas në listat për deputetë? Kush është ‘Mond Çekiçi’, ish-anëtari i bandës së Durrësit i ekzekutuar në 2021-in
Një tjetër emër i përmendur në dosjen hetimore ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja është edhe Edmond Koçi, ish-anëtari i bandës së Durrësit, i njohur si “Mond Çekiçi” i ekzekutuar në mars të vitit 2021.
Koçi shfaqet në komunikimet mes personazheve të botës së krimit në aplikacionin “Sky Ecc” ku flitej për ta futur Jurgis Çyrbjan në listën e sigurt të kandidatëve për deputetë në qarkun e Durrësit.
Ekzekutimi i Koçit u krye më 20 mars nga dy persona në lagjen nr.16 pranë një lokali të cilin viktima e frekuentonte kohëve të fundit. Autorët kanë qenë dy, të kamufluar me veshje ushtarake dhe të maskuar me shall e kapuç. Makina e autorëve një tip “Benz ” i zi kishte bllokuar rrugën në pritje të arritjes së makinës me të cilën udhëtonte Çekiçi, të cilin e kanë ekzekutuar me breshëri të shtënash, një skenë që ka zgjatur rreth 20-30 sekonda.
Anëtar i grupit kriminal dhe ish- i dënuar
“Mond Çekiçi”, konsiderohej nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezultonte të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë.
“Mond Çekiçi”, konsiderohej nga Policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezultonte të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe kundërshtimit të forcave të Policisë.
Në muajin maj 2009, Edmond Koçi u dënua me 2 vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve”.
Në një raport të Ministrisë së Brendshme thuhej se “Mond Çekiçi është pjesë shoqërore me Lulzim Berisha ‘Luli’, Emiljano Shullazi ‘Mili’, Plarent Dervishaj ‘Lenti’, Marjel Fierza dhe persona të tjerë.
Mond Çekiçi është arrestuar herën e fundit në 24 shtator 2020 nga Policia e Durrësit për armëmbajtje pa leje, por është liruar në datën 8 tetor 2020.
Ai u lirua me pretekstin e situatës së pandemisë, pasi paraqiti dokumentacion sikur ishte i prekur nga Covid-19 dhe për këtë arsye duhej të merrte mjekime dhe jo të izolohej me të burgosurit e tjerë.
Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit, Gjykata e Durrësit vendosi si masë sigurie për 40- vjeçarin “Arrest shtëpie”, ndërkohë që akuzohej për armëmbajtje pa leje. Mirëpo, Koçi nuk respektoi as vendimin e Gjykatës, pasi qarkullonte fare lirshëm nëpër qytet deri në momentin e atentatit. Versus.al
Vrasja dhe zhdukja e Jan Prengës, ish-deputeti i PS strehoi në shtëpi kreun e grupit kriminal të shpallur në kërkim

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja i arrestuar mbrëmjen e djeshme në Durrës për 3 vepra të rënda penale, mësohet se për njërën për tyre “përkrahjen e autorit të krimit” lidhet me kreun e grupit kriminal “Hajri” të Shijakut, Altin Hajrin.
Ky i fundit, rezulton i shpallur në kërkim që prej 4 vitesh për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020, por Jurgis Çyrbja ndërkohë i ka ardhur në ndihmë duke e strehuar në shtëpinë e tij dhe banesa të tjera të Durrësit për ta fshehur nga drejtësia.
Zhdukja e Jan Prengës
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 Janar 2020 dhe prej gati 4 vitesh trupi i tij nuk është gjetur. Kompleksi 'Golden' në Shijak u kthye ne skenën e krimit për Jan Prengën, ndërsa policia me anë të pamjeve filmike provoi praninë e trupit të tij dhe vendosi pas hekurave Leonard Hajri, Bajram Hajri, Festim Bexhdili, Olsi Turja si dhe Ardian Docaj, ndërsa sot në burg ka mbetur vetëm kopshtari Festim Bexhdili. Ai u ekzekutua me urdhër nga "kokat" e bandës, për shkak të një sasie prej 283 kg kokainë, që vëllai i Jan Prengës, Astrit mbante peng në Angli dhe nuk e tregonte se ku e kishte çuar. Në kërkim për ngjarjen kriminale është ende pronari i “Golden”, Altin Hajri i cili konsiderohet edhe si kreu i grupit kriminal në Shijak. Versus.al
Detaje tronditëse, kreu i grupit Hajri dhe ish-anëtari i bandës së Durrësit komunikuan në Sky Ecc për ta futur Çyrbjan në listën e sigurt për deputet
Detaje shokuese janë zbardhur nga arrestimi i ish-deputetit Jurgis Çyrbja mbrëmjen e djeshme në Durrës nën akuzën e 3 veprave të rënda penale. Përveç arrestimit Ahmet Mashës, kunatit të vëllait të Çyrbjas, është shpallur në kërkim edhe Altin Hajri, kreu i grupit kriminal “Hajri” në Shijak i cili akuzohet për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Në përgjimet e zbardhura në aplikacionin “Sky Ecc” Altin Hajri komunikon me Ahmet Mashën dhe ish-anëtarin e Bandës së Durrësit, Edmond Koçin me nofkën "Mond Çekiçi" për ta futur Çyrbjan të tretin në listën e Partisë Socialiste për deputetë në qytetin bregdetar. Bisedat janë zhvilluar në janar të 2020-ës me qëllim që Çyrbja të jetë pjesë e listës së sigurt për deputetë.
Ashtu siç raportohet të jetë komunikuar, në zgjedhjet e prillit të 2021-it, Jurgis Çyrbja është pikërisht i treti në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për deputetë.
Altin Hajri është emër i njohur i botës së krimit, pasi akuzohet për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës më 17 janar të 2020-ës. Që prej asaj kohe pronari i “Golden Kompleks” në Shijak është shpallur në kërkim dhe për të është vendosur gjykimi në mungesë. Versus.al
U arrestua mbrëmë në Durrës për lidhje me grup kriminal dhe 3 vepra të rënda, Jurgis Çyrbja në bllokun e sigurisë së lartë
Ish-deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit, Jurgis Çyrbja i cili u arrestua mbrëmë me urdhër të SPAK nën akuzën e 3 veprave penale, është transferuar drejt Tiranës në bllokun e sigurisë së lartë. Arrestimi i tij u bë gjatë momentit që Çyrbja po qarkullonte nëpër qytet me automjetin që drejtohej nga shoferi i tij. Ndaj ish-ligjvënësit socialist rëndojnë akuzat për 3 vepra të rënda penale si tregtim i sekretit shtetëror, korrupsion zgjedhor dhe përkrahje e autorit të krimit. Gjithashtu mësohet se emri i deputetit shfaqet edhe në komunikimet e një grupi kriminal në aplikacionin "Sky Ecc".
Mbrëmë në pranga ra edhe Ahmet Masha, një ish- i dënuar më parë për kontrabandë nafte në Durrës në 2013-ën dhe po ashtu në 2019-ën është marrë në pyetje për atentatin që iu bë Plarent Dervishajt, kunatit të Lulzim Berishës.
Rezulton se Masha është kunati i vëllait të ish-deputetit Jurgis Çyrbja. Të dy pritet të dalin sot para GJKKO ku do t’u komunikohet edhe masa e sigurisë ‘arrest me burg’.
Më 8 tetor, Jurgis Çyrbja u paraqit në SPAK për herë të parë ku qëndroi për rreth 5 orë. Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme ai nuk dha informacione për gazetarët. Ndërsa 2 ditë më vonë, më datë 10 tetor, dorëzoi mandatin e deputetit me arsyetimin e gënjeshtërt se do të bënte një ndërhyrje kirurgjikale që do t’i zgjaste rreth 3 muaj, duke i pamundësuar angazhimin politik. Por arsyetimi i tij, shpejt doli në pah si i rremë pasi vetëm një ditë më pas Çyrbja u paraqit sërish në SPAK, më 11 tetor u mor zyrtarisht i pandehur dhe sërish para gazetarëve e mohoi.
Mbrëmjen e djeshme, u krye arrestimi i tij teksa qarkullonte me shoferin e tij në qytetin e Durrësit. Fillimisht ish-deputeti u dërgua në komisariatin e policisë rajonale dhe më pas u transportua drejt Tiranës. Versus.al








