POLITIKË /

"Kalaja s'ka të drejtë ta akuzojë Tabakun", Berisha ndërhyn në përplasjen mes 2 kandidateve të PD

Shkruar nga Versus
"Kalaja s'ka të drejtë ta akuzojë Tabakun",
Sali Berisha, Jorida Tabaku dhe Adriana Kalaja

Përplasja në rrjete sociale mes kandidateve femra për deputete në Tiranë, Adriana Kalaja dhe Jorida Tabaku e cila fitoi mandatin, ka sjellë sot edhe reagimin e kryedemokratit Sali Berisha.

Ky i fundit tha se Kalaja nuk ka të drejtë ta akuzojë Tabakun se është ndihmuar nga Rama pa patur fakte. Ai shtoi se Tabaku ka bërë një prej fushatave më intensive në këto zgjedhje.

Ndërsa sa i takon pretendimeve të Kalasë për votat, Berisha tha se kushdo që ka pretendime të tilla, le të bëjë kërkesë për të patur dokumentacionin e plotë dhe nëse është e nevojshme edhe hapjen e kutive.

“Zonja Kalaja është një luftëtare e vendosur, e guximshme, e cila në këto 4 vite është përballur direkt me kryeministrin e Shqipërisë më shumë se kushdo tjetër, në atë linjën e saj, që ajo beson se është avokate, linjën e drejtësisë dhe paditë. Por zonja Kalaja dhe cilido tjetër qoftë, në vlerësimin tim, nuk ka të drejtë pa fakte të akuzojë ndonjë njeri. E treta, Sali Berisha është shprehur për këtë se zonja Tabaku ka bërë një nga fushatat më intensive, siç unë kam konstatuar dhe e vërteta, jo vetëm unë.

Por, përsëri e mbyllim këtu, në qoftë se Edi Rama, për hiret e Olta Xhaçkës, urdhëroi që asnjë kuti të mos hapet, unë s’e kam bërë kurrë këtë dhe çdo kandidat që ka dyshimet më të vogla se janë bërë një padrejtësi nga cilido, unë e ftoj të marrë dokumentacionin dhe ta verifikojë.

Detyra ime është, pavarësisht nga konsideratat personale që kam, të mbroj parimet bazë.

Dhe parimi bazë është, ai që ka dyshime, le t’i faktojë pa pasur asnjë pengesë në sigurimin e të gjithë dokumentacionin. Janë disa, nuk është vetëm zonja Kalaja. Ka edhe të tjerë. Po ne nuk jemi parti që t’u themi mos hap kutitë. Jo, atë nuk e themi kurrë ne. Kërko të drejtën tënde, ky është parimi ynë”- tha Berisha. Versus.al

Poll