Kryedemokrati Sali Berisha gjatë një konference për mediat ditën e sotme deklaroi se PD do të ndjekë çdo rrugë të mundshme për të mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, që e konsideroi “një farsë elektorale”.
I pyetur nëse ka në plan të nisë grevë urie në shtator, Berisha tha se asnjë skenar nuk përjashtohet dhe se është i gatshëm të drejtojë ai personalisht këtë betejë.
“I gatshëm të udhëheq deri në fitore. Me shembullin personal t’u rikthej shqiptarëve votën e lirë. Nuk përjashtojmë asnjë variant”, deklaroi ish-kryeministri.
Ai përsëriti më tej deklaratën e tij duke thënë se nuk ka zgjedhje të lira me Ramën kryeministër dhe se ky i fundit ka krijuar një “shtet elektoral”.
“Mund të them sot atë që kam thënë shumë herë më parë që me Ramën nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira. Kjo nuk është diçka e re, e kam thënë dhe e them me bindjen më të madhe. Ka krijuar shtet elektoral dhe zhvillon farsë elektorale. Në Durrës janë 15 mijë vota të krimit”, shtoi Berisha. Versus.al







