
Kryetari i lëvizjes "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj, ka folur sërish për zhvillimet e fundit brenda koalicionit, duke komentuar gjithashtu edhe përplasjet pas-zgjedhore me ish-bashkëpunëtorin e tij, Endri Shabani.
I ftuar në A2 CNN, Lapaj u shpreh se pjesëmarrja në zgjedhje ishte një “kontratë morale” me qytetarët, që synonte të sillte ndryshim përmes besimit, institucioneve dhe angazhimit civil, dhe jo përmes konfliktit apo ushtrimit të presionit.
“Ne ishim duke bërë një kontratë morale me shoqërinë. Shkuam në këtë lloj besimi. Nëse do më gjykoni për besimin, jam i hapur t’i marr të gjitha kostot. Por e rëndësishme është të shikohet se çfarë ka ndodhur,” u shpreh Lapaj.
Ai theksoi se mosmarrëveshjet që dolën pas procesit zgjedhor janë pjesë e një ushtrimi demokratik, ku palët ndonjëherë nuk bien dakord, por sipas tij, rruga për zgjidhje nuk ishte asnjëherë përmes “institucioneve paraligjore”.
“Ne nuk shkuam në institucione paraligjore për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet përmes forcës. Shkuam në institucione ligjore, si KQZ dhe KAS,” tha ai.
Lapaj nuk i fshehu zhgënjimin ndaj Endri Shabanit, duke deklaruar se, pavarësisht paralajmërimeve nga miqtë e tij, kishte ruajtur një marrëdhënie shoqërore 12-vjeçare me të dhe nuk e kishte imagjinuar ndarjen në këtë formë.
“Nuk e mendoja kurrë që dikush mund t’i bënte një akt kamikaz rrugëtimit politik të ndryshimit në Shqipëri”, tha më tej Lapaj.
Sa i takon deklaratës së mëparshme se nuk do të hynte në Parlament nëse subjekti politik që ai drejtonte do të merrte vetëm një mandat, Lapaj theksoi se ishte bërë në funksion të motivimit të ekipit, para formimit të koalicionit dhe se nuk kishte synuar keqinterpretim të sistemit zgjedhor.
Ai zbuloi se pas zgjedhjeve ka propozuar një akt të fortë simbolik: dorëzimin e mandatit nga ai vetë, Shabani dhe Soko, për të ruajtur integritetin moral të lëvizjes.
“I kam kërkuar Shabanit, në prani të zotit Soko, që të linim mandatin. Mandatin do e merrte personi i dytë më i votuar i ‘Shqipëria Bëhet’”, tha Lapaj.
Në fund, Lapaj thekson se pavarësisht se sistemi elektoral i ka penalizuar me formulën e mandateve, lëvizja e tij mori një sasi votash që në kushte të tjera do të siguronte disa deputetë. Ai shton gjithashtu se ka qenë i gatshëm të japë një shembull ndryshe nga politika tradicionale.







