
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur këtë të mërkurë (4 qershor) të hapë 229 kuti të materialeve zgjedhore në Qarkun e Vlorës, pas verifikimit të parë të 4 kutive nga ky qark.
Vendimi erdhi si pasojë e ankesës së Partisë Demokratike të dorëzuar më 27 maj, ku opozita pretendon për përdorim sistematik të administratës publike dhe strukturave shtetërore në funksion të Partisë Socialiste gjatë fushatës dhe ditës së votimit.
Dy anëtarët e KAS-it të propozuar nga opozita, Ledio Braho dhe Elvis Çefa, mbështetën kërkesën për hapjen e kutive, ndërsa nënvizuan rëndësinë e transparencës në proces.
Ndërkohë, përfaqësuesi i PD-së në KAS, Marash Logu, deklaroi se edhe raporti i Parlamentit Europian “fakton blerjen e votave” dhe se “qeveria e ka humbur legjitimitetin moral dhe politik”.
Hapja e 229 kutive në Vlorë pritet të hedhë më shumë dritë mbi akuzat për parregullsi zgjedhore në një nga qarqet më të kontestuara në vend. Versus.al







