Gjatë vizitës zyrtare në Izrael, Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në Parlamentin izraelit, ku u ndal gjerësisht te marrëdhëniet historike mes shqiptarëve dhe popullit hebre, duke vënë theksin te roli i Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rama theksoi se historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët përbën një mësim të qartë mbi vlerat njerëzore dhe fuqinë e ideologjisë së mikpritjes. Ai kujtoi se lidhja mes dy popujve daton prej shekujsh, që nga koha kur hebrenjtë kërkonin strehim në trojet shqiptare.
Duke iu referuar periudhës së Holokaustit, Kryeministri përmendi një episod domethënës, kur autoritetet naziste kërkuan dorëzimin e hebrenjve, por u përballën me refuzimin e shqiptarëve. “Na merrni floririn, por jo hebrenjtë”, citoi Rama, duke theksuar se kjo nuk është një legjendë, por një fakt historik.
Sipas tij, ky qëndrim buron nga një parim themelor i kulturës shqiptare, i përmbledhur në shprehjen: “Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”. Rama nënvizoi se tradhtia ndaj mikut konsiderohet një nga krimet më të rënda në traditën shqiptare.
Kryeministri Rama: Dua që këto shembuj historik t’i sjell për të siguruar ata që mbajnë një pikëpamje komplet ndryshe nga e imja për Gazën se shqiptarët sjellin një mësim shumë të mirë se çfarë është e aftë të sjellë ideologjia. Ka një histori që lidh dy popujt tanë. Trashëgimia jonë lidhet dhe daton shekuj më parë, qëkur refugjatët izraelitë kërkonin strehim në tokën tonë.
Gjatë Holokaustit, kur nazistët dërguan zyrtarët e tyre, dërguan Nombaherin te populli shqiptar, shqiptarët thanë: ‘Na merrni floririn, por jo hebrenjtë’. Kjo nuk është një legjendë.
Për të shpjeguar këtë mrekulli që kanë bërë shqiptarët, përshkruhet me një fjali: ‘Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut’. Të tradhtosh mikun, është krimi më i pafalshëm që mund të ndodhë.


